
Foto VCG
Hong Kongu ka fituar vlerësime globale për klimën e tij gjithnjë në përmirësim të biznesit dhe investimeve të mbështetur nga statusi i tij si një qendër financiare globale dhe përpjekjet e pandërprera për të ushqyer industritë dhe firmat, shkruan “Xinhua”.
Në raportin pilot, “Business Ready 2024”, i publikuar nga Grupi i Bankës Botërore, Hong Kongu është emëruar një nga ekonomitë me performancën më të mirë në mjedisin e biznesit nga 50 ekonomitë që ka anketuar në mbarë botën, sipas një zëdhënësi të qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR).
Raporti vlerëson klimën e biznesit dhe investimeve nga 10 tema me tre shtylla për secilën temë.
Hong Kongu renditet i pesti në shtyllën e “Eficencës operacionale” me 78.52 nga 100 pikë.
Midis 10 temave, Hong Kongu mori 90.77 pikë për “Tregtinë ndërkombëtare”, 85.49 pikë për “Hyrje në biznes” dhe 77.71 pikë për “Shërbimet komunale”. Raporti theksoi gjithashtu se Hong Kongu ka pak kufizime në tregtinë ndërkombëtare të shërbimeve dhe zbaton praktika të mira për sa i përket dhënies së informacionit dhe rregulloreve në lidhje me regjistrimin e kompanive, tha zëdhënësi.
Vendndodhja strategjike e Hong Kongut në qendër të Azisë u mundëson kompanive të inovacionit dhe teknologjisë të krijojnë lidhje të gjera me tregun rajonal dhe të arrijnë njohuri të thella.
Sipërmarrësit thonë gjithashtu se ekosistemi mbështetës i Hong Kongut për startup-et mund të jetë i dobishëm, me iniciativa, inkubatorë, përshpejtues dhe skema financimi të mbështetura nga qeveria për të ndihmuar startup-et të kenë akses në kapital dhe të lidhen me partnerë ose klientë të mundshëm.
“Hong Kongu do të ruajë mjedisin e tij ndërkombëtar, të hapur dhe miqësor të biznesit”,- tha sekretari Financiar i qeverisë HKSAR, Paul Chan, gjatë vizitës së tij në Spanjë në fund të shtatorit.
Chan u zotua të thellonte bashkëpunimin me tregjet e zhvilluara dhe ato në zhvillim për një nxitje të re në tregun e kapitalit të Hong Kongut. (Irma)
