Kina përfundon testin e parë të komunikimit terahertz me superpërcjellës
2024-10-04 11:46:08

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Një ekip i përbashkët eksperimental i udhëhequr nga Observatori i Malit të Purpurt (PMO) i Akademisë Kineze të Shkencave (CAS), përfundoi me sukses një eksperiment revolucionar të komunikimit me valë terahertz në Rrafshnaltën Qinghai-Xizang.

Kjo shënon herën e parë në botë që teknologjia e marrësit superpërcjellës me ndjeshmëri të lartë aplikohet në komunikimin me valë në distanca të gjata, duke transmetuar me sukses sinjale video me definicion të lartë, në një distancë prej 1.2 kilometrash.

Eksperimenti u krye në një lartësi mbi 4 mijë metra, në një bazë astronomike vëzhguese me valë submilimetrike në provincën Qinghai të Kinës veriperëndimore, duke përdorur një fuqi transmetimi prej vetëm 10 mikrovat – një të miliontën e fuqisë së një stacioni bazë të zakonshëm të celularit. Pavarësisht dobësisë së sinjalit, ekipi mori me sukses video me definicion të lartë përmes një marrësi superpërcjellës teraherc.

Rrezatimi Terahertz (THz) i referohet valëve elektromagnetike me frekuenca midis 0,1 dhe 10 THz dhe brezi i tij shtrihet midis mikrovalëve dhe dritës. Ai konsiderohet si një burim kyç për komunikimet e së ardhmes.

Gjithsesi, transmetimi në distanca të gjata përballet me sfida të tilla si dobësimi i rëndë i sinjalit. Për ta zgjidhur këtë, studiuesit kinezë kanë zhvilluar teknologji zbulimi astronomik teraherc që nga vitet 1990. Ky eksperiment përfaqëson një arritje të rëndësishme, duke vendosur një rekord të ri për distancën më të largët të komunikimit pa tela teraherc mbi frekuencën e bandës 0.5 THz.