Pushimet shtatëditore me rastin e Ditës Kombëtare të Kinës filluan me një rritje të fortë të udhëtimeve dhe shpenzimeve të konsumatorëve, duke sinjalizuar një shtim të madh stinor të veprimtarisë ekonomike.
Foto nga VCG
Mediet ndërkombëtare vunë në dukje se kjo rritje është një tregues pozitiv për sektorët e turizmit dhe konsumit në Kinë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, të martën, në ditën e parë të periudhës së pushimeve nga 1 deri më 7 tetor, numri i udhëtimeve ndërrajonale brenda Kinës arriti mbi 330 milionë, me një rritje 48.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme, si edhe mbi 30 për qind më shumë se ajo e vitit 2019, para pandemisë.
Agjencia "Bloomberg" raportoi se kjo rritje e udhëtimeve tregon "shenjat e para të një mëkëmbjeje të shpenzimeve të konsumatorëve" në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Foto nga VCG
Ajo ndodh vetëm disa ditë pasi Pekini shpalli një sërë masash stimuluese për të rigjallëruar ekonominë që po përballet me sfida të shumta. Këto masa përfshijnë uljen e normave të interesit, zvogëlimin e rezervave bankare të kërkuara dhe lehtësimin e kufizimeve për blerjen e banesave.
Duke u mbështetur me këto masa, pritet që pushimet e Ditës Kombëtare të sjellin një bum të përqendruar në sektorin e turizmit dhe konsumit të Kinës, raportoi gazeta e Singaporit "Lianhe Zaobao".
Sipas të dhënave nga platformat e udhëtimeve, rezervimet për biletat e pikave turistike kineze në ditën e parë të pushimeve u rritën 37 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa për bujtinat u shtuan 55 për qind.
Ndërsa "Java e artë" e pushimeve në Kinë vazhdon të nxisë shpenzimet e konsumatorëve dhe aktivitetin ekonomik, ekspertët parashikojnë një periudhë të gjallë për sektorë si turizmi, transporti, argëtimi dhe hoteleria, raportoi gazeta "Manila Times".