I dërguari kinez kërkon veprime për të zbutur tensionet libanezo-izraelite
2024-10-03 15:03:20

Foto Xinhua

Një i dërguar kinez i bëri thirrje të mërkurën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të ndërmarrë veprime urgjente për të zbutur gjendjen e tensionuar ndërmjet Libanit dhe Izraelit.

"Këshilli i Sigurimit mban përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare," tha Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, në konferencën e informimit të Këshillit të Sigurimit mbi situatën libanezo-izraelite.

Fu shtoi se, në rrethanat aktuale, Këshilli i Sigurimit duhet të ndërmarrë veprime urgjente dhe të jetë i bashkuar për të bërë kërkesa të qarta, të tilla si armëpushimi i menjëhershëm në Gazë, zbutja e tensioneve libanezo-izraelite, ndalja e ciklit të dhunës dhe përhapjes së luftimeve, si edhe kthimi në rrugëzgjidhjet politike dhe diplomatike nga palët e interesuara,

Fu vuri në dukje se konflikti ka shkaktuar një katastrofë të pashoqe humanitare dhe Gaza është bërë "një ferr në tokë". Konflikti ka çuar në shkatërrimin masiv të objekteve civile, mijëra viktima dhe zhvendosjen e mbi 1 milion njerëzve në Liban.

Izraeli nisi një sulm ajror të enjten herët në mëngjes mbi Qendrën e Autoritetit Shëndetësor të lidhur me "Hezbollahun" në zonën Al-Bachoura në qendër të Bejrutit, duke shkaktuar një zjarr masiv, njoftoi kanali televiziv vendor "Al-Jadeed".

Që nga 23 shtatori, ushtria izraelite ka nisur një sulm ajror të paprecedentë dhe intensiv në Liban, në një përshkallëzim të rrezikshëm me "Hezbollahun". (Artan)