Udhëheqësit e vendeve evropiane dërgojnë urime për 75-vjetorin e themelimit të RPK-së
2024-10-02 12:01:24

Udhëheqësit e vendeve evropiane i dërguan kohët e fundit mesazhe ose letra urimi presidentit kinez Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës (RPK). 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Kina përbën një shembull dhe i ka dhënë shtysë zhvillimit botëror, dhe koncepti i një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, nisma "Një brez, një rrugë" dhe tre nismat globale të paraqitura nga presidenti Xi do të nxisin ndërtimin e një bote më të drejtë, më të barabartë dhe më përparimtare. Ai shtoi se pala serbe është e gatshme të punojë së bashku me palën kineze për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët Serbi-Kinë në epokën e re.

Presidenti hungarez Tamas Sulyok tha nga ana e tij se Kina është bërë një forcë e rëndësishme në arenën ndërkombëtare, duke shtuar që Hungaria është e gatshme të vazhdojë të jetë partnere e Kinës, të thellojë bashkëpunimin në fusha të ndryshme dhe të arrijë objektivat e përbashkëta të zhvillimit. 

Nga ana e tij, kreu i shtetit gjerman Frank-Walter Steinmeier theksoi se Kina ka reaguar aktivisht ndaj sfidave globale, duke përfshirë ndryshimin klimatik. Ai u shpreh se është më e rëndësishme se kurrë që të dy palët të kenë bashkëpunim të ngushtë e praktik dhe shprehu besimin se marrëdhëniet gjermano-kineze do të vazhdojnë të konsolidohen dhe të thellohen. 

Presidenti italian Sergio Mattarella tha se, si dy qytetërime të lashta me histori mijëravjeçare, Italia dhe Kina mund të kontribuojnë me diturinë e thellë strategjike për zbutjen e tensioneve dhe kapërcimin e konflikteve në bashkësinë ndërkombëtare, duke shtuar se Italia është e gatshme të thellojë më tej bashkëpunimin praktik me Kinën dhe të nxisë zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ndërsa presidentja e Konfederatës Zvicerane Viola Amherd vuri në dukje që partneriteti strategjik inovativ Zvicër-Kinë është i thellë dhe i qëndrueshëm. Ajo shprehu besimin e vendosur se të dy palët mund të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh në të ardhmen.