Kina paraqet ankesë në OBT kundër praktikave tregtare të Kanadasë
2024-10-02 15:22:15

Foto nga VCG

Kina ka paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) mbi praktikat e njëanshme dhe proteksionizmin tregtar të Kanadasë, njoftoi të mërkurën Ministria kineze e Tregtisë.

Ministria tha se ka nisur gjithashtu një hetim kundër diskriminimit lidhur me masat kufizuese të Kanadasë mbi disa importe nga Kina.

Tarifa 100 për qind e Kanadasë për të gjitha automjetet elektrike kineze, duke përfshirë makinat hibride, kamionët dhe autobusët, hyri në fuqi të martën. Këto masa u njoftuan për herë të parë në fund të gushtit. Kanadaja njoftoi gjithashtu të martën se do të vendosë një mbitaksë prej 25 për qind ndaj importeve të përzgjedhura të çelikut dhe aluminit nga Kina. Mbitaksa për këto produkte do të hyjë në fuqi nga 22 tetori.

Ministria kineze e Tregtisë u përgjigj se veprimet e Kanadasë shkelin parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme, duke dëmtuar rëndë bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kinës e Kanadasë, duke ndikuar shumë në marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe duke prishur e shtrembëruar zinxhirët industrialë e të furnizimit globalë.

Ministria i kërkoi Kanadasë që ta shikojë bashkëpunimin ekonomik e tregtar dypalësh në mënyrë racionale dhe objektive, në përputhje me rregullat e OBT-së, dhe të mos ecë më tej në rrugën e gabuar. “Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze”, theksoi kjo ministri. (Artan)