Presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë partiakë dhe shtetërorë të hënën morën pjesë në një ceremoni në sheshin "Tiananmen" në qendër të Pekinit për të vendosur shporta me lule në nderim të heronjve të rënë. Veprimtaria u zhvillua në përkujtim të Ditës së 11-të të Dëshmorëve të Kinës, e cila bie më 30 shtator, një ditë përpara Ditës Kombëtare të vendit.
Foto nga Xinhua
Mbi 2400 veteranë, anëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe përfaqësues nga të gjitha fushat e jetës u mblodhën në Monumentin e Heronjve të Popullit në sheshin "Tiananmen" për të përkujtuar ata që ia kushtuan jetën e tyre çlirimit të popullit kinez dhe ndërtimit të Republikës Popullore të Kinës, e cila u themelua më 1 tetor 1949.
Në fillim të ceremonisë të gjithë pjesëmarrësit kënduan himnin kombëtar dhe bënë homazhe në heshtje. Nxënësit e shkollës me këmisha të bardha dhe shalle të kuqe interpretuan në kor, teksa më pas nëntë shporta me lule, me shirita ku shkruhej "Lavdi e përjetshme Heronjve të Popullit", u sollën para monumentit nga rojat e nderit.
Xi dhe liderë të tjerë ecën deri në rrëzë të monumentit, ku presidenti kinez rregulloi shiritat e kuq në shporta përpara se të drejtonte zyrtarë të tjerë të lartë në bërjen e homazhe përreth monumentit. Pas tyre, nxënësit e shkollave dhe të pranishmit e tjerë vendosën buqeta me krizantema në piedestal.
Foto nga Xinhua
Dëshmorët, siç përcaktohet nga qeveria kineze, janë "njerëz që sakrifikuan jetën e tyre për pavarësinë dhe prosperitetin kombëtar, si dhe mirëqenien e popullit në kohët moderne, ose pas Luftës së Parë të Opiumit".
Në vitin 2014, Asambleja Popullore Kombëtare, organi më i lartë legjislativ i Kinës, e përcaktoi 30 shtatorin si Ditën e Dëshmorëve për të nderuar këta individë.
Po atë vit që qeveria qendrore shpalli një njoftim, që kërkonte nga të gjitha rajonet e Kinës të organizonin veprimtari të ndryshme përkujtimore për Ditën e Dëshmorëve, duke përfshirë mbajtjen e ceremonive publike përkujtimore, mobilizimin dhe organizimin e njerëzve për të ofruar lule në varrezat e dëshmorëve, duke inkurajuar publikun, sidomos të rinjtë, për të përkujtuar dëshmorët në internet, për të mësuar nga veprat e tyre heroike dhe për të vizituar familjet e dëshmorëve për shprehjen e ngushëllimeve.
Dita e Dëshmorëve është një nga tre ditët përkujtimore kombëtare të Kinës, së bashku me Ditën e Fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez më 3 shtator dhe Ditën Kombëtare Përkujtimore për Viktimat e Masakrës së Nankinit më 13 dhjetor.
Foto nga Xinhua
Vlerësohet se Kina ka rreth 20 milionë dëshmorë. Ndër ta, shumë janë ushtarë, revolucionarë dhe udhëheqës të hershëm komunistë. Por edhe shumë kinezë të zakonshëm sakrifikuan jetën e tyre për të mirën e përbashkët.
Sipas Ministrisë së Çështjeve të Veteranëve, në Kinë ka 160 000 objekte për përkujtimin e heronjve dhe dëshmorëve, ndërsa ka 1 600 institucione për mirëmbajtjen e tyre. Ka gjithashtu 300 objekte përkujtimore kombëtare në 50 vende dhe rajone, ku prehen 110 000 heronj dhe dëshmorë.
Vitet e fundit, qeveria ka forcuar mbrojtjen ligjore për nderimin e heronjve dhe dëshmorëve.
Foto nga Xinhua
Ligji për Mbrojtjen e Heronjve dhe Dëshmorëve, që ka hyrë në fuqi që nga viti 2018, ndalon çdo organizatë apo individ që të fyejë apo të shpifë për figurat e heronjve dhe të dëshmorëve. Nëse nuk ka të afërm për të ngritur padi, organet e prokurorisë mund të nisin veprimet ligjore. Ligji gjithashtu ofron përfitime dhe trajtim preferencial për familjet e dëshmorëve në arsim, punësim, pensione, strehim dhe shëndetësi.
Së fundmi janë rishikuar rregulloret për nderimin e heronjve të rënë, duke vendosur kritere të përmirësuara për identifikimin e dëshmorëve dhe duke rritur mbështetjen financiare për familjet e tyre. Këto rregullore synojnë gjithashtu të forcojnë menaxhimin e objekteve përkujtimore dhe të promovojnë ndërgjegjësimin për veprat e dëshmorëve. Rregulloret e rishikuara do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2025.