Sektori i transportit i Kinës parashikon të trajtojë mbi 1.9 miliardë udhëtime pasagjerësh gjatë pushimeve të Ditës Kombëtare që fillojnë më 1 Tetor, sipas Ministrisë së Transportit. Qeveria po zbaton masa të ndryshme për të siguruar një udhëtim të sigurt dhe të qetë për të gjithë udhëtarët.
Foto nga VCG
Fluksi i udhëtimeve gjatë pushimeve njëjavore do të nxitet kryesisht nga bashkimet familjare dhe vizitat. Mesatarisht, 277 milionë udhëtime pasagjerësh pritet të kryhen çdo ditë gjatë pushimeve, 19.4 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e pushimeve, udhëtimet ndërrajonale pritet të shtohen. Në destinacionet tradicionale, si Shangai, Pekini, Hangzhou dhe Chengdu, ka pasur një numër të madh rezervimesh. Edhe rezervimet e biletave për pikat e ndryshme turistike në Chongqing, Yunnan, Sichuan dhe Xinjiang kanë rritje të ndjeshme.
Kohëzgjatja e pushimeve është një rast i mirë edhe për udhëtimet jashtë vendit. Të dhënat nga “Trip.com” tregojnë që rritja e kapacitetit të fluturimeve ka ulur kostot e udhëtimit, me çmimet mesatare të biletave për destinacione si Japonia, Tajlanda, Vietnami dhe Australia që kanë rënë mbi 20 për qind. Rrjedhimisht, aplikimet për viza udhëtimi gjatë pushimeve janë rritur me 70 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Foto nga VCG
Që nga viti 2012, Kina ka hequr tarifat për makinat e udhëtarëve gjatë festave të mëdha, duke rritur ndjeshëm kërkesën për udhëtime rrugore. Kjo politikë do të vazhdojë gjatë festës së Ditës Kombëtare të këtij viti dhe po bëhen përmirësime shtesë në objektet dhe shërbimet në zonat e pushimit në autostradë. Në mbarë vendin, autoritetet e transportit kanë instaluar më shumë stacione që ngarkimit të baterive për të përballuar rritjen e automjeteve elektrike.
Foto nga VCG
Në nivel kombëtar, Ministria e Transportit ka nxjerrë udhëzime me objektiv të përcaktuar për departamentet lokale për të maksimizuar kapacitetin e transportit përpara fluksit të pushimeve. Po ashtu, janë duke u bërë përpjekje për të përmirësuar procesin e blerjes së biletave për transportin publik, veçanërisht për të moshuarit dhe udhëtarët e huaj.