
Koncert në Tiranë me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marredhënieve diplomatike Shqiperi-Kinë (Foto CMG)
Në vijim të kremtimeve për 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, në Qendrën Kulturore në Tiranë u mbajt koncerti muzikor “Melodi e paharruar”, nga artistë të Teatrit Kombëtar kinez të Operës, Dramës dhe Vallëzimit dhe të Ansamblit Popullor shqiptar të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Foto CMG
Të pranishëm në këtë event ishin edhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare, Armand Skapi, përfaqësues të medies, si dhe artdashës shqiptarë dhe kinezë.

Foto CMG
Drejtuesi kinez i koncertit, Song Qiang, vlerësoi miqësinë tradicionale mes dy popujve.
“Nuk do ta harrojmë kurrë bashkëpunimin reciprok mes dy vendeve, edhe pse jemi larg, por që gjithmonë e kemi ruajtur miqësinë e fortë dhe dashurinë për njëri-tjetrin. Dhe nëpërmjet këtij udhëtimi të hijshëm muzikor le të përjetojmë kujtimet e bukura së bashku dhe të shijojmë edhe gëzimin e festimit të 75-vjetorit të vendosjes së marrëveshjeve diplomatike dypalëshe. Le të ecim krah për krah dhe të presim një të ardhme më të mirë. I urojmë Shqipërisë dhe Kinës fat, paqe e prosperitet, si dhe një miqësi të përhershme”,- tha ai.


Foto CMG
Artistët kinezë performuan pjesë folklorike nga zona të ndryshme të Kinës, me instrumente karakteristike kombëtare, si flauti prej bambuje, dizi apo erhuja, duke përcjellë performancën klasike të pjesëve më të njohura vendase, që nga këngët e fëmijërisë, çelja e luleve apo perëndimi i diellit, si dhe himne që i kushtohen atdheut.

Foto CMG
Gjatë koncertit, të dy trupat artistike shqiptaro-kineze interpretuan pjesë me muzikë karakteristike kineze, si “Retë e argjendta që ndjekin Hënën”, muzikë klasike shqiptare, si “Lulet që lulëzojnë”, si dhe pjesën “Tirana-Pekin”, që simbolizon miqësinë shqiptaro-kineze.
Koncerti u mbyll hareshëm me një valle popullore shqiptare, ku përveç valltarëve të Ansamblit shqiptar të Këngëve dhe Valleve u përfshinë dhe të pranishmit në sallë. (Eda Merepeza)

Foto CMG
