Wang Yi: Manipulimi nga ShBA-ja i çështjeve të të drejtave të njeriut, jopopullor në mbarë botën
2024-09-26 17:37:35

foto nga

Wang Yi dhe Volker Turk / foto nga MPJ e Kinës

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të mërkurën se manipulimi politik i çështjeve të të drejtave të njeriut nga disa vende, si Shtetet e Bashkuara, po bëhet gjithnjë e më jopopullor në të gjithë botën.

Wang, njëherësh anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i bëri këto komente kur u takua me Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut Volker Turk dhe ministrat e jashtëm të shumë vendeve, në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.

Mbi 100 vende kanë shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e Kinës dhe kanë kundërshtuar politizimin e të drejtave të njeriut në sesionin e 57-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (UNHRC) të mbajtur në Gjenevë të martën, tha Wang.

Gjatë sesionit, afro 80 vende, duke përfshirë shumë vende myslimane, publikuan një deklaratë të përbashkët që përkrah Kinën dhe më shumë se 20 vende të tjera shprehën mbështetjen e tyre në mënyra të ndryshme, duke mbështetur qëndrimin e drejtë të Kinës, kur disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, sulmuan dhe njollosën situatën e të drejtave të njeriut të Kinës, duke shfrytëzuar çështjet e lidhura me Xinjiang-un.

Pjesa dërrmuese e vendeve myslimane i kanë parë prej kohësh intrigat e ShBA-së dhe e kuptojnë se ajo thjesht po i përdor të drejtat e njeriut si pretekst për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës e vendeve të tjera në zhvillim, shtoi ai. 

Wang tha se mbështetja e qartë e mbi 100 vendeve në zhvillim në UNHRC nuk është vetëm për të mbrojtur të drejtat e ligjshme të Kinës, por edhe ndershmërinë e drejtësinë ndërkombëtare, interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim dhe parimin themelor të marrëdhënieve ndërkombëtare të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.  

Kreu i diplomacisë kineze theksoi se një veprim i tillë i Shteteve të Bashkuara dhe ndjekësve të tyre ekspozoi edhe një herë standardet e tyre të dyfishta mbi çështjet e të drejtave të njeriut në botë. "Njerëzit nuk mund të mos pyesin: Nëse Shtetet e Bashkuara tregojnë kaq vëmendje për të drejtat e njeriut të myslimanëve, pse provokojnë apo mbështesin vazhdimisht luftërat në rajone si Lindja e Mesme, duke shkaktuar viktima të shumta të pafajshme myslimane? Pse mbyllin sytë ndaj padrejtësive historike me të cilat përballet populli arab dhe nuk mbështet Palestinën për t'u bërë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara? Pse nuk luajnë rolin e duhur në arritjen e një armëpushimi të përhershëm dhe të tërheqjes së plotë ushtarake nga Gaza?" u shpreh Wang Yi.

Kryediplomati kinez theksoi më tej se ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe arritjet e Kinës në mbrojtjen dhe në promovimin e të drejtave të njeriut janë të njohura gjerësisht. Sipas tij, zhvillimi dhe përparimi në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit shihet nga të gjithë.

Kina është e gatshme të marrë pjesë në dialog me të gjitha vendet për çështjet e të drejtave të njeriut në bazë të barazisë dhe dyert e saj janë të hapura për botën, theksoi Wang, duke mirëpritur miqtë nga të gjitha vendet për ta vizituar e për ta parë vetë Kinën.