Ministri i Jashtëm i bën thirrje Gjermanisë për të mos politizuar mosmarrëveshjet tregtare me Kinën
2024-09-25 17:32:38

foto nga

foto nga MPJ e Kinës

Politizimi i çështjeve ekonomiko - tregtare dhe shpërdorimi i masave tarifore nuk do t'u shërbejnë interesave të askujt, i tha Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi homologes së tij gjermane, në një takim dypalësh të martën në Nju Jork. Ai i bëri thirrje Berlinit dhe Bashkimit Evropian që në vend të kësaj prirjeje, t'i drejtohen dialogut dhe konsultimeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare me Kinën.

Takimi midis Wangut, gjithashtu Anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK dhe Ministres së Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock, erdhi teksa dy diplomatët e lartë ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në Sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Takimi u zhvillua gjithashtu nën sfondin që Bashkimi Europian po përgatitet të vendosë tarifa shtesë për makinat elektrike të prodhuara në Kinë.

Duke i hedhur një vështrim historisë gati gjysëm shekullore, që nga vendosja e lidhjeve diplomatike mes Kinës dhe BE-së, zgjerimi i bashkëpunimit është në interesin e të dyja palëve. Ai është i favorshëm për stabilitetin botëror, tha Wang, duke theksuar se baza e marrëdhënieve Kinë-BE është bashkëpunimi me përfitime reciproke. Mundësia e madhe përplotësuese e të dy ekonomive do të thotë se bashkëpunimi ekonomik midis Kinës dhe BE-së mund të prodhojë një rezultat më të madh se thjesht ai i dy ekonomive të marra së bashku. 

Politizimi i çështjeve ekonomiko - tregtare mes Kinës dhe BE-së,  si edhe abuzimi me tarifat mbi importet kineze nuk do t'u shërbejnë interesave të askujt. Veprime të tilla nuk do t'i shërbejnë tranzicionit të gjelbër të ekonomisë botërore, theksoi Wang. Ai shprehu shpresën se Gjermania dhe Bashkimi Europian do t'i përmbahen bashkëpunimit të hapur, do të vazhdojnë të zhvillojnë dialog dhe konsultime me Kinën, për të trajtuar siç duhet çështjet e lidhura me të, si edhe për të mbrojtur bashkërisht rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe mjedisit të drejtë konkurues.

Lidhur me marrëdhëniet Kinë-Gjermani, Wang vuri në dukje planin strategjik të përcaktuar nga udhëheqësit e dy vendeve, të shoqëruar me ndërveprime të shpeshta të nivelit të lartë që nga fillimi i vitit. Ai tha se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar Kinë-Gjermani ka patur një nivel të lartë, gjë që është tregues i natyrës reciprokisht përfituese dhe strategjike të lidhjeve dypalëshe.

Nga ana e saj, Baerbock tha se Kina është partnerja më e rëndësishme tregtare e Gjermanisë, me një gamë të gjerë sektorësh për bashkëpunim dypalësh, të cilët do të japin rezultate me fitime të përbashkëta.

Duke iu përmbajtur politikës pandryshuar të "Një Kine" , pala gjermane beson në tregtinë e lirë dhe konkurrencën e ndershme. Gjithashtu dhe zgjidhjen e ndasive përmes dialogut dhe konsultimeve në mënyrë të hapur dhe transparente, tha Baerbock, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave të tregtisë ndërkombëtare.

Për sa i përket Bashkimit Europian, Baerbock tha se si tregu i vetëm më i madh në botë, blloku europian duhet të përpiqet të mbajë tregun e tij të hapur, duke shtuar se Gjermania i kushton rëndësi rolit që Kina luan në çështjet ndërkombëtare. Gjermania është e gatshme të zgjerojë bashkërendimin me Kinën, në kornizën e mekanizmave shumëpalëshe si OKB, si  edhe të nxisë aktivisht zhvillimin e marrëdhënieve BE-Kinë.