Ministria e Jashtme e Kinës ka kritikuar përpjekjet e fundit të ShBA-së për të nxitur nënshkrimin e një deklarate përjashtuese mbi kabllot nëndetare gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian, theksoi se ShBA-ja po e politizon dhe zmadhon çështjen e sigurisë lidhur me kabllot nëndetare, duke dëmtuar rregullat ndërkombëtare të tregut dhe duke kërcënuar ndërlidhjen globale të të dhënave dhe sigurinë e rrjetit. Ai theksoi se këto veprime po kufizojnë të drejtën e shumë vendeve, veçanërisht të vendeve në zhvillim, për të zhvilluar industrinë e kabllove nëndetare dhe për të zgjedhur në mënyrë të pavarur furnizuesit e tyre. Kina e kundërshton fuqimisht këtë veprim.
Foto nga VCG
Sipas raporteve të disa mediave amerikane e evropiane, Shtetet e Bashkuara po planifikojnë që të nisin nënshkrimin e "Deklaratës së përbashkët të Nju-Jorkut" për kabllot nëndetare, gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të mbahet në fund të shtatorit, ndërsa vendet anëtare të BE-së janë duke diskutuar për t'iu bashkuar apo jo kësaj deklaratë. Disa analistë të mediave mendojnë se një gjë e tillë bëhet me synimin për të përjashtuar kompanitë kineze nga zinxhiri global i furnizimit të kabllove detare.
"Fatkeqësisht, vitet e fundit ShBA-ja ka shkelur rregullat ndërkombëtare dhe ka përdorur forcën shtetërore për të ndërtuar 'mure të larta' kundër Kinës në fushën e kabllove nëndetare. Nëpërmjet nxitjes së nënshkrimit të kësaj deklarate përjashtuese, qëllimet e saj dashakeqe janë të qarta. Kabllot nëndetare janë infrastrukturë civile ndërkombëtare që lidhet me mirëqenien globale. Kina do të vazhdojë të mbrojë interesat e ligjshme të kompanive kineze dhe do të mbështesë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kabllove nëndetare mbi parimet e drejtësisë dhe barazisë, duke kundërshtuar me vendosmëri veprimet hegjemoniste dhe të njëanshme të ShBA-së," tha zëdhënësi i diplomacisë kineze.