
Foto nga VCG
Ekspozita e Produkteve Zelandë e Re-Kinë 2024 filloi në Auckland të premten me pjesëmarrjen e importuesve dhe eksportuesve nga të dy vendet.
Veprimtaria treditore, duke shfaqur produkte nga Kina dhe Zelanda e Re, synon të promovojë lidhjet tregtare midis dy vendeve, shkruan “Xinhua”.
Ministri i Tregtisë së Zelandës së Re, Todd McClay, deklaroi në fjalimin e tij video në ceremoninë e hapjes se Kina është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Zelandës së Re dhe tregu më i madh i eksportit të Zelandës së Re.
“Si partnerë tregtarë, ne vazhdojmë të kërkojmë mënyra për të përmirësuar mjedisin e biznesit midis dy vendeve duke hapur dyert për eksportuesit dhe duke reduktuar barrierat ndaj tregtisë”,- tha McClay.

Foto nga VCG
Ambasadori kinez në Zelandën e Re, Wang Xiaolong, tha se me përpjekjet e përbashkëta të Kinës dhe Zelandës së Re, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve ka bërë përparim të dukshëm, ku të dyja vendet janë partnerë të rëndësishëm tregtarë për njëri-tjetrin. Sipas tij, lidhjet e konsiderueshme tregtare dypalëshe kanë ofruar mbështetje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Zelandës së Re.
Ministri i Arteve, Kulturës dhe Trashëgimisë së Zelandës së Re, Paul Goldsmith, tha se kishte një potencial në rritje për të forcuar tregtinë dypalëshe në industritë krijuese dhe kulturore.
Qendra Kulturore e Kinës në Auckland shfaqi mbi 200 produkte kulturore kineze në seksionin kulturor dhe krijues të ekspozitës.
Kompanitë dhe organizatat që marrin pjesë në këtë event vijnë nga sektorë të ndryshëm të industrisë, duke përfshirë prodhimin, produktet shtëpiake, bujqësinë, ushqimin dhe pijet, energjinë e gjelbër dhe të re, turizmin, logjistikën, median dhe industritë krijuese.

Foto nga VCG
Kjo ekspozitë është bashkorganizuar nga Zyra e Zhvillimit të Tregtisë e Ministrisë së Tregtisë së Kinës, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë e Kinës dhe Këshilli i Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare. (Irma)
