Foto nga CFP
Një aeroplan pasagjerësh C919, i operuar nga “China Southern Airlines”, u ngrit të enjten nga Aeroporti Ndërkombëtar Guangzhou Baiyun, duke shënuar fluturimin e parë tregtar të linjës ajrore me bazë në Guangzhou me këtë avion.
Fluturimi CZ3539 mbajti një ngarkesë të plotë me pasagjerë dhe u nis për në aeroportin Hongqiao të Shangait.
Deri më tani, tre linjat ajrore kryesore të Kinës kanë filluar të gjitha operacionet tregtare me aeroplanët e parë të mëdhenj të pasagjerëve të prodhuar në vend, shkruan “Xinhua”.
Në prill, “China Southern Airlines” nënshkroi një marrëveshje për të blerë 100 avionë C919 nga Korporata Komerciale e Avionëve të Kinës (COMAC).
Deri më sot, COMAC ka dorëzuar nëntë avionë C919 për tre linja ajrore kryesore kineze.
“China Southern” dhe “Air China” morën avionin e tyre të parë C919 në Shanghai më 28 gusht.
“China Eastern Airlines”, klienti i lëshimit për C919, ka raportuar performancë të qëndrueshme operacionale me shtatë avionë C919 qëkur ata hynë në shërbim më 28 maj 2023.
“Ne do të vazhdojmë të përforcojmë sistemin e mbështetjes operacionale të C919, duke hedhur një themel të fortë për operacione në shkallë të gjerë. Ne do të përmirësojmë vazhdimisht rrjetin e rrugëve, duke u mundësuar më shumë pasagjerëve të shijojnë një përvojë të këndshme fluturimi në bordin e avionit të madh vendas”,- deklaroi Han Wensheng, menaxher i përgjithshëm i “China Southern Airlines”.
Bazuar në kërkesën e tregut dhe planet e shpërndarjes së avionëve, “China Southern Airlines” do të zgjerojë gradualisht linjat operative C919, të tilla si fluturimet nga Guangzhou në Hangzhou dhe Pekin. (Irma)