Në fshatin Gaopu të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore, Guo Fang bleu mobilje të dërguara nga qyteti Foshan i provincës Guangdong, 1000 km larg.
Guo Fang: “Desha të ndërroja krevatin. Ndaj bëra një porosi online. Dërgimi ishte shumë i shpejtë. Brenda tre ditëve krevati mbërriti në shtëpinë time. Postierët ma ngjitën nëpër shkallë dhe ma montuan direkt. Ishte shumë kollaj”.
Një qendër e shpërndarjes së postave të shpejta në qytetin Huzhou, provincë Zhejiang, 10 shtator 2024(Foto nga VCG)
Shërbimet e favorshme të dërgimit mbështeten tek sistemi i përsosur i transportit dhe logjistikës. Aktualisht në Kinë janë krijuar mbi 1200 qendra dërgesash në nivel konteje dhe mbi 300 mijë pika të tilla në nivel fshati. Vëllimi i dërgesave në zonat rurale është rritur dhjetë herë krahasuar me dekadën e shkuar.
Wu Guiru është kryemenaxher i një kompanie dërgesash të shpejta në provincën Guizhou.
“Këtë vit biznesi ynë në qyteza dhe lokalitete u rrit me 10%-15% krahasuar me vjet. Rritje më të madhe kanë patur mobiljet dhe pajisjet elektroshtëpiake”, tha ai.
Rritja e vrullshme e biznesit të dërgesave të shpejta pasqyron nivelin e jetesës së banorëve në fshat. Gjatë zhvillimit 75 vjeçar, që pas themelimit të Kinës së Re, u zhduk varfëria absolute. Sigurimet shoqërore janë në përmirësim e sipër dhe puna e rigjallërimit rural po përparon me rezultate të ndjeshme.
Dr. Michael Borchmann, ish-Drejtor i Punëve Evropiane e Ndërkombëtare të landit Hessian tha: “Që nga politika e Reformës dhe Hapjes në fund të viteve 70’ të shekullit të kaluar, Kinë pati një gjallëri zhvillimi. Gjatë këtij procesi, mirëqenia e popullit u vendos në një pozicion të rëndësishëm. Në vitin 2021, Kina deklaroi zhdukjen e varfërisë absolute. Tashmë shoqëria kineze ka hyrë në një begati relative”.
Urusov Volodymyr, Profesor i Asociuar në Departamentin e Historisë pranë Universitetit Taras Shevchenko të Kievit tha se në Kinë është krijuar sistemi më i madh i sigurimeve shoqërore në botë, i cili ka luajtur rolin e duhur në garantimin e barazisë. Vitin e shkuar 95.7% e nxënësve të arsimit të detyrueshëm nëntë vjeçar mbaruan shkollimin. Ndërkohë, 60.2% e nxënësve të shkollave të mesme me cikël të lartë u regjistruan për edukim akademik. Këto dy shifra u ngritën përkatësisht 3.9 dhe 30.2 pikëpërqindje në krahasim me vitin 2012.
Zona rurale e lidhura me autostrada, konte Daoxian, provincë Hunan, shtator 2024(Foto nga VCG)
Lidhur me këtë, z. Vicentiu Gheorghe, President nderi i Shoqatës "ChinaRo" vuri në dukje se Kina zbaton gjithmonë parimin e zhvillimit, duke vendosur popullin në qendër. Vendi i kushton rëndësi arsimit, punësimit, mjekësisë, përkujdesjes ndaj grupeve të dobëta si të moshuarit dhe të miturit, duke bërë përpjekje për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve dhe plotësimin e kërkesave shoqërore.
Krahas përmirësimit të nivelit të jetesës materiale, po lulëzon edhe sektori kulturor. Në pushimet treditore që sapo përfunduan të Festës së Mesvjeshtës, konsumi turistiko-kulturor pati një bum. Sipas të dhënave statistikore të Administratës së Filmit të Kinës, gjatë pushimeve 15 -17 shtator, vëllimi i shitjes së biletave të kinemave në tregun kinez ishte 389 milionë juanë, duke tërhequr 9.57 milionë shikues. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë njerëz bënë udhëtime turistike për të kremtuar festën.
“Kur Kina zhvilloi fuqishëm ekonominë kombëtare, ajo i kushtoi vëmendje edhe përmirësimit të jetës shpirtërore të banorëve gjatë procesit të modernizimit. Numri i produkteve kulturore gjithmonë qëndron në një nivel të lartë, i barabartë me statusin e saj si ekonomia e dytë botërore”, tha z. Vicentiu Gheorghe.
Bujq korrin tomate të mbjella në serrë, qytet Qianxi, provincë Guizhou, Kinë Jugperëndimore, gusht 2024(Foto nga VCG)
“Modernizimi kinez është modernizimi socialist me karakteristika të veta, ku theksohen zhvillimi i koordinuar i botës materiale dhe shpirtërore, përforcimi i forcës materiale dhe shpirtërore, përmirësimi i përbashkët i jetës materiale dhe asaj shpirtërore ”, komentoi Urusov Volodymyr.