Kina hap 12 objekte kërkimore bërthamore për shkencëtarët globalë
2024-09-18 11:11:01

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina do të hapë 12 objekte kërkimore bërthamore dhe platforma testimi për shkencëtarët dhe institucionet ndërkombëtare për të rritur bashkëpunimin global, tha Liu Jing, nënkryetar i Autoritetit të Energjisë Atomike të Kinës (CAEA), në një takim në kuadër të konferencës së përgjithshme vjetore të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Objektet mbulojnë fusha të tilla si kërkimi bazë bërthamor, prodhimi i izotopeve, simulimi i mjedisit bërthamor, testimi i pajisjeve dhe trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve radioaktive, bën të ditur “Xinhua”.

Takimi i së hënës u organizua nga CAEA për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkimin dhe zhvillimin e teknologjisë bërthamore, ndërsa Kina shënon 40-vjetorin e pranimit të saj në IAEA.

Yu Jianfeng, kryetar i Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës, tha në këtë ngjarje se kompania synon të thellojë bashkëpunimin me IAEA-n dhe të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar. Ai shprehu besimin se hapja e objekteve kërkimore bërthamore të Kinës do të kontribuojë në avancimin e teknologjisë bërthamore globalisht.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Mikhail Chudakov, përgëzoi arritjet e jashtëzakonshme të Kinës në zhvillimin e energjisë bërthamore dhe theksoi marrëdhëniet e gjata dhe të frytshme midis IAEA-s dhe CAEA-s.

Duke përshëndetur vendimin e Kinës për të hapur më shumë nga objektet e saj të kërkimit dhe zhvillimit bërthamor, Chudakov tha se masa do të forcojë më tej kapacitetin teknik të agjencisë për të mbështetur shtetet e saj anëtare. (Elona)