Studiuesi japonez Seiya Matsuno zbuloi një dokument të ri lidhur me të dhënat e teknikëve në repartet japoneze të luftës bakteriologjike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Harbin, kryeqendër e provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore.

Studiuesi japonez Seiya Matsuno(i majti) publikon dokumentin, 17 shtator 2024(Foto nga Xinhua)
Dokumenti prej 267 faqesh përmban profilet e 100 teknikëve që ishin në shërbim nga shkurti i vitit 1944 deri në gusht të vitit 1945. Më shumë se gjysma e tyre janë nga reparti famëkeq japonez i luftës bakteriologjike, i njohur si “Njësia 731”. Dokumenti përfshin informacione të tilla si koha e emërimit, të dhënat e gradimit, sfondi akademik, gradat dhe arritjet.
Dokumenti u zbulua në Arkivin Kombëtar të Japonisë nga Matsuno, një studiues nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes të Universitetit "Meiji Gakuin" në Japoni dhe profesor i shquar i Universitetit Ndërkombëtar të Heilongjiang-ut.


Dokumenti i publikuar nga z. Seiya Matsuno që mban informacionet për teknikët e "Njësisë 731"(Foto nga Xinhua)
Sipas tij, "teknikë" quheshin zyrtarët teknikë e kërkues kryesorë të angazhuar në profesione të specializuara teknike, të cilët gëzonin trajtimin e zyrtarëve të lartë dhe ishin përfshirë në ushtri. Shumica prej tyre shërbenin si drejtues të departamenteve të ndryshme kërkimore dhe merreshin kryesisht me eksperimente të ndryshme bakteriologjike e kërkime mjekësore.
Njësia 731 ishte një bazë e fshehtë kërkimore e luftës biologjike dhe kimike e krijuar në qytetin Harbin, si qendër për luftën biologjike të Japonisë në Kinë e në Azinë Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Materialet arkivore të publikuara këtë herë janë prova të rëndësishme për thellimin e kërkimeve mbi repartet japoneze të luftës bakteriologjike dhe kanë rëndësi të madhe për zbulimin e krimeve përkatëse të kryera nga Japonia, theksoi kuratori i Ekspozitës së Dëshmive të Krimeve të Njësisë 731 të Ushtrisë Perandorake Japoneze, Jin Chengmin.
Krimet e kryera nga Njësia 731 ishin ndër mizoritë më të tmerrshme gjatë pushtimit japonez në Kinë në Luftën e Dytë Botërore.

Ushtarë japonezë të "Njësisë 731" kryejnë eksperiment biologjiko-kimik me një banor kinez gjatë Luftës së Dytë Botërore(Foto nga VCG)
E mërkura shënon 93-vjetorin e Ngjarjes së 18 Shtatorit 1931, kur trupat japoneze filluan pushtimin e përgjakshëm në Kinë, duke paralajmëruar nisjen e Luftës së Dytë Botërore dhe duke e bërë Kinën vendin e parë që i rezistoi fashizmit.
