Legjislatura më e lartë e Kinës miraton rritjen graduale të moshës së daljes në pension
2024-09-13 19:38:26

Foto nga VCG

Ligjvënësit kinezë miratuan të premten një vendim për rritjen graduale të moshës ligjore të pensionit, duke shënuar rregullimin e parë në marrëveshje që nga vitet 1950. 

Sipas vendimit të miratuar në seancën e 11-të të Komitetit të Përhershëm të Kongresit të 14-të Kombëtar Popullor, mosha ligjore e pensionit për burrat do të rritet gradualisht nga 60 në 63 në 15 vjet, duke filluar nga viti 2025. Mosha për gratë nëpunëse dhe gratë punonjëse do të rriten përkatësisht nga 55 në 58 dhe nga 50 në 55.

Duke filluar nga viti 2030, vitet minimale të kontributeve të nevojshme për të përfituar pensionin mujor, do të rriten gradualisht nga 15 vjet në 20 vjet, me ritmin e rritjes prej gjashtë muajsh në vit. 

Ndërkohë, personat do të lejohen të dalin vullnetarisht në pension, jo më shumë se tre vjet para kohe. Kjo pasi të kenë mbushur vitet minimale të kontributeve pensionale. Nuk lejohet dalja në pension më herët se mosha e mëparshme ligjore.

Politikat e reja do t'i lejojnë gjithashtu individëve të shtyjnë daljen në pension për një datë më të vonë, nëse arrijnë një marrëveshje me punëdhënësit, por një shtyrje e tillë nuk duhet të jetë më shumë se tre vjet. 

Vendimi specifikon gjithashtu masat për përsosjen e mekanizmit të nxitjes së sigurimeve të pleqërisë, zbatimin e strategjisë së punësimit, sigurimin e të drejtave dhe interesave bazë të punëtorëve që kanë kaluar moshën e pensionit, si dhe përmirësimin e shërbimeve të kujdesit për të moshuarit dhe fëmijëve.

Dokumenti përfshin dispozita specifike për mirëqenien e punëtorëve të moshuar të papunë, si edhe për pensionimin e mëparshëm për ata në profesione të veçanta. 

Kongresi i 20-të Kombëtar i PKK dhe seanca e tretë plenare e Komitetit Qendror të 20-të, bënë rregullime të qarta për rritjen graduale të moshës ligjore të pensionit në vend. 

Plani i miratuar nga ligjvënësit të premten, u formulua mbi bazën e një vlerësimi gjithëpërfshirës të jetëgjatësisë mesatare, kushteve shëndetësore, strukturës së popullsisë, nivelit të arsimit dhe ofertës së fuqisë punëtore në Kinë. (Elona)