Kryeministri kinez nxit bashkëpunimin mes sipërmarrjeve nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe
2024-09-13 14:18:54

CFP

CFP

Kryeministri kinez Li Qiang u bëri thirrje të enjten sipërmarrjeve nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të shfrytëzojnë mundësitë e reja të bashkëpunimit nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme e të qëndrueshme nga ana e të dy vendeve. 

Li, i cili po bën një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, i tha këto në fjalën e vet gjatë Forumit të Biznesit Emiratet e Bashkuara Arabe-Kinë, që u zhvillua në Dubai. 

Duke vënë në dukje që marrëdhëniet Kinë-Emiratet e Bashkuara Arabe janë në një pikë kyçe historike dhe se ngritja e nivelit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar është në një periudhë vendimtare për ngritjen e nivelit, Li shprehu shpresën se sektorët e biznesit të të dy vendeve do të kapin prirjet kryesore dhe do të hapin mundësi të reja për bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Së pari, ai u bëri thirrje ndërmarrjeve nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të shfrytëzojnë mundësitë e reja të bashkëpunimit nga zbatimi me cilësi të lartë i nismës "Një brez, një rrugë". 

Të dy vendet duhet ta bazojnë bashkëpunimin e tyre në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa mbajnë një perspektivë globale për të eksploruar partneritetet dhe për të zgjeruar tregjet, duke thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si ndërlidhshmëria, zhvillimi i infrastrukturës e financimi dhe duke nxitur integrimin e tyre më të thellë në zinxhirët globalë të industrisë dhe furnizimit, tha ai. 

Së dyti, Kina e Emiratet e Bashkuara Arabe duhet të shfrytëzojnë mundësitë e reja të ndërlidhjes së strategjive të tyre të zhvillimit. Të dy vendet duhet të identifikojnë më shumë fusha me interes të përbashkët, si edhe mundësi për bashkëpunim nga përputhja e përparësive strategjike të tyre, duke thelluar bashkëpunimin në tregti, energjitë e reja, turizëm dhe sektorë të tjerë, shtoi Li.

Së treti, kreu i qeverisë kineze u bëri thirrje të dy palëve të shfrytëzojnë së bashku mundësitë në rritje në inovacionin teknologjik e industrial, ta përdorin inovacionin si një forcë nxitëse dhe të çojnë përpara bashkëpunimin në fusha të tilla si prodhimi i përparuar, ekonomia digjitale e inteligjenca artificiale, dhe të punojnë së bashku për të shfrytëzuar mundësitë e ardhshme të zhvillimit.

 Li mirëpriti më shumë kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe të investojnë në Kinë dhe shprehu besimin se, me përpjekjet e përbashkëta të sipërmarrësve të të dy vendeve, bashkëpunimi dypalësh ekonomik e tregtar do të vazhdojë të përparojë, duke nxitur më tej zhvillimin dhe begatinë e të dy vendeve. 

Ky vit shënon 40-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, tha Li, duke vënë në dukje se, që atëherë, lidhjet dypalëshe janë bërë më të pjekura dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar ka qenë i frytshëm.