CFP
Kina do të zgjerojë mbulimin e sigurimit mjekësor dhe do të inkurajojë rimbursimin për shërbimet e asistuara të fertilitetit, si pjesë e përpjekjeve të vendit për të rritur shkallën e lindjeve, njoftoi Administrata Kombëtare e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Sigurimi i lehonisë është tani pjesë e programit bazë të sigurimit.
Programi synon të reduktojë barrën financiare, të ndajë kostot e punës së punëdhënësve dhe të promovojë barazinë gjinore në vendet e punës.
Zhang Ke, kreu i administratës, tha se rreth 249 milionë gra u regjistruan në programet e sigurimit të lehonisë vitin e kaluar, me gati 118 miliardë juanë (18.4 miliardë dollarë) të shpenzuara në total, shkruan “China Daily”.
Mesatarisht, çdo punëtore e siguruar merrte një pagesë lehonie prej 26,000 juanësh.
Ndërsa Kina po përshpejton përpjekjet për të rritur nivelet e lindjeve, Zhang tha se administrata do të rrisë mbulimin e sigurimit të lehonisë në të ardhmen.
Aktualisht, subvencionet e lindjes ose u jepen drejtpërdrejt punonjëseve shtatzëna ose u përcillen atyre nëpërmjet punëdhënësve të tyre.
“Ne po shohim mundësinë e zgjerimit të praktikës së dhënies së drejtpërdrejtë të subvencioneve”,- tha ai.
Deri tani, 20 rajone të nivelit provincial kanë zgjeruar mbulimin e sigurimit mjekësor në një mori shërbimesh riprodhuese të asistuara dhe më shumë rajone pritet të ndjekin shembullin këtë vit. (Elona)