CFP
Grupi i Punës për Rritjen e Veprimit Klimaterik Kinë-SHBA mbajti takimin e tij të dytë në Pekin, për të vazhduar diskutimet mbi adresimin e krizës klimaterike, shkruan “Xinhua”.
Takimi u bashkëkryesua nga i dërguari i posaçëm i Kinës për Ndryshimet Klimaterike, Liu Zhenmin, dhe këshilltari i lartë i presidentit të SHBA-së për Politikat Ndërkombëtare të Klimës, John Podesta, njoftoi Ministria kineze e Ekologjisë dhe Mjedisit.
Diskutimet përfshijnë zbatimin e kontributeve të tyre përkatëse të përcaktuara në nivel kombëtar për vitin 2030 dhe përgatitjet për vitin 2035.
Të dyja palët mirëpritën shkëmbimet teknike dhe të politikave që janë kryer deri më tani në kuadër të grupit të punës, duke përfshirë diskutimet mbi tranzicionin e energjisë, metanin, ekonominë rrethore dhe efikasitetin e burimeve, zonat me karbon të ulët e të qëndrueshëm, si dhe biseduan për shkëmbime të mëtejshme.
Ata ripohuan gatishmërinë e tyre për të pritur së bashku, me Presidencën COP29 të Azerbajxhanit, një samit të metanit dhe gazeve të tjera serrë jo-CO2 në COP29.
Të dyja palët u shprehën të përkushtuara për forcimin e mëtejshëm të dialogut dhe përpjekjeve bashkëpunuese, si dhe për të punuar me të gjitha palët e tjera për të mbështetur Presidencën e Azerbajxhanit për një COP29 të suksesshëm.
COP29 është Konferenca e 29-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike, e cila do të organizohet nga qeveria e Azerbajxhanit në nëntor 2024. (Fatosi)