Brazil: Mbahet Tryeza e Rrumbullakët Kinë - Amerikë Latine mbi të Drejtat e Njeriut
2024-09-10 20:32:22

foto nga CFP

Pamja nga Rio de Zhaneiro / foto nga CFP

Të martën në Rio de Zhaneiro të Brazilit u mbajt edicioni i parë i Tryezës së Rrumbullakët Kinë - Amerikë Latine mbi të Drejtat e Njeriut. Kjo është hera e parë që Kina, Amerika Latine dhe Karaibet zhvillojnë seminare dhe shkëmbime institucionale në fushën e të drejtave të njeriut.

Ky vit shënon 10 vjetorin e vendosjes së partneritetit gjithëpërfshirës midis Kinës dhe Amerikës Latine, si edhe të krijimit të Forumit Kinë - Amerikë Latine. Gjithashtu edhe 50 vjetorin e vendosjes së lidhjeve diplomatike mes Kinës dhe Brazilit.

Evandro Carvalho, profesor në Fakultetin e Drejtësisë të Fondacionit "Getulio Vargas" të Brazilit dhe Drejtor i Qendrës për Studimet Brazil - Kinë, tha se ky është seminari i parë për të drejtat e njeriut i këtij niveli me rëndësi të madhe midis Kinës, Amerikës Latine dhe Karaibeve. "Tryeza e rrumbullakët është një piketë historike në marrëdhëniet mes Amerikës Latine e Kinës dhe marrëdhënieve Brazil-Kinë, që hap një kapitull të ri në dialogun midis palëve." 

Evandro Carvalho shpreson se Kina, Amerika Latine dhe Karaibet do të bashkohen duke u bërë një forcë frymëzuese dhe transformuese për inovacionin gjithëpërfshirës në fushën e të drejtave të njeriut në shekullin e 21-të.

Ai theksoi se duhet kundërshtuar me vendosmëri përdorimi i "të drejtave të njeriut" si mburojë politike dhe pretekst për ndërhyrje në vendet e tjera. 

Bashkëpunimi midis Amerikës Latine dhe Kinës ofron mundësinë e rimodelimit të rrugës së të drejtave të njeriut. Të dyja palët e kanë bërë zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe kauzën e paqes, një përparësi për të drejtat e njeriut, duke ndërmarrë veprime të përbashkëta. "Për mua, ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet midis Brazilit dhe Amerikës Latine me Kinën, është diçka për t'u festuar." tha profesori Carvalho.

Ronnie Lins, Drejtor i Qendrës Kinë - Brazil, tha për gazetën kineze "People's Daily" se mbledhja e kësaj tryeze të rrumbullakët është një ngjarje historike për Amerikën Latine dhe Kinën, për të thelluar bashkëpunimin e tyre. Tryeza e rrumbullakët thekson një model bashkëpunimi, të bazuar në respektin dhe sovranitetin reciprok, në vend të të ashtuquajturit koncept "të drejtat e njeriut" të përdorur në disa vende perëndimore.

Sipas Linsit, fokusi i bashkëpunimit për të drejtat e njeriut midis Amerikës Latine dhe Kinës është rreth çështjeve të zhvillimit, duke përfshirë të drejtat ekonomike dhe shoqërore, si zhdukja e varfërisë dhe aksesi në shëndetësi e arsim. Një bashkëpunim i tillë për të drejtat e njeriut, nuk ka qëllim ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, por është më i fokusuar në projekte konkrete që nxisin përfshirjen shoqërore dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si investimet në infrastrukturë, teknologji dhe energji të pastër.

Drejtori i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe Statistikave të Brazilit, Marcio Pochmann beson se të drejtat e njeriut nuk janë një standard i vetëm. Vendet përballen me çështje të ndryshme të të drejtave të njeriut, në nivele të ndryshme zhvillimi. 

Ai tha se për Kinën dhe Brazilin, më e rëndësishme është çështja e zhvillimit. Kina ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në zhvillimin ekonomik, zhdukjen e varfërisë dhe aspekte të tjera, ndërsa Brazili po ndërmerr gjithashtu aktivisht veprime për të eliminuar urinë. Në këtë drejtim, të dyja vendet mund të forcojnë bashkëpunimin dhe të nxisin zhvillimin e të drejtave të njeriut.

Forumi u sponsorizua bashkërisht nga Shoqata Kineze e Kërkimit të të Drejtave të Njeriut, Universiteti Renmin i Kinës dhe Universiteti Federal i Fluminense në Brazil. 

Tema e tryezës së rrumbullakët ishte "Shumëllojshmëria e qytetërimeve dhe zgjedhja e shtigjeve për realizimin e të drejtave të njeriut", dhe kishte tre nën-tema: "Kontributi i Kinës dhe Amerikës Latine në qytetërimin global të të drejtave të njeriut", "Realizimi i së drejtës për zhvillim dhe gëzimi i të drejtave themelore të njeriut", dhe "Sfidat dhe zgjidhjet e qeverisjes globale të të drejtave të njeriut".

Në mbledhje morën pjesë më shumë se 120 zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut, ekspertë dhe studiues nga Kina, Amerika Latine dhe Karaibet, si dhe përfaqësues të organizatave shoqërore, instituteve të studimit të politikave dhe mediave përkatëse. (Wang Lei/ Elona)