Përkujtohet "Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit"
2024-09-09 10:34:06

Ministri Blendi Gonxhja (Foto Këshilli i Ministrave)

Ministri Blendi Gonxhja (Foto Këshilli i Ministrave)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh në Ditën Ndërkombëtare të Shkrimit e Leximit, se ajo ka për qëllim të nxjerrë në pah rëndësinë e shkrim-leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.

Që nga viti 1967, festimet e Ditës Ndërkombëtare të Alfabetizmit (ILD) mbahen çdo vit në mbarë botën për t’i kujtuar publikut rëndësinë e shkrim-leximit si çështje dinjiteti dhe të drejtave të njeriut dhe për të çuar përpara agjendën e shkrim-leximit drejt një shoqërie më të arsimuar dhe të qëndrueshme, theksoi Gonxhja.

Në kohët e reja që po jetojmë ekziston një nevojë urgjente për të shfrytëzuar potencialin transformues të shkrim-leximit për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, kohezionit social dhe paqes, nënvizoi ministri.

“Shkrim-Leximi është një e drejtë themelore e njeriut, ai hap derën për gëzimin e të drejtave të tjera të njeriut, lirive më të mëdha dhe qytetarisë globale”, shtoi Gonxhja.

Tema për këtë vit është, “Promovimi i arsimit shumëgjuhësh: Shkrim-leximi për mirëkuptim të ndërsjellë dhe paqe”.(Fatosi)