Aleksandër Rrapi, jeta në emigrim dhe karriera artistike në Greqi
2024-09-09 14:17:54

Aktori i njohur Aleksandër Rrapi prej 32 vitesh jeton në emigrim, fillimisht në Greqi dhe vitet e fundit në SHBA. Profesionin e aktrimit e mori nga babai, i cili ishte pjesë e trupës së Teatrit Popullor në vitet e parë të funksionimit të tij. Ai emigroi në shtetin fqinj pas viteve 90-të, ku vuri në pah talentin në disa skena të Greqisë dhe filma me regjisorë grekë. Më vonë Aleksandri emigroi në SHBA ku ende performon, duke mos e lënë në harresë pasionin e tij.

Për kontributin në artin skenik ai është vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Beratit dhe “Mjeshtër i Madh”. Aleksandri ka luajtur mjaft role në teatër dhe kinematografi në Greqi, ku është vlerësuar nga regjisorët grekë për interpretimet e tij. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për jetën e tij artistike në emigrim dhe projektet në vazhdim.  

CMG: Përshëndetje Z.Rrapi dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Aleksandër Rrapi: Kënaqësia është dhe e imja dhe sigurisht është një marrëdhënie kaq e ngrohtë, sepse është ndryshe kur jep intervista në gjuhë të huaj, dhe një ndjesi kaq e ngrohtë dhe miqësore që flas në gjuhën time, në atdheun tim

CMG: Një jetë në emigrim, fillimisht në Greqi dhe vitet e fundit në SHBA. Si jeni integruar në fillimet tuaja në emigracion?

Aleksandër Rrapi: Emigrimi është vërtetë i vështirë për cilindo. Nuk e di sesa të kënaqur dhe predispozuar janë njerëzit për të shkuar në emigrim me dëshirë të madhe. Ishte momenti i ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, kur unë dhe shumë miq e kolegë të brezit tim morëm përsipër të mbushnim një trastë me mall dhe ëndrra dhe të kalonim kufirin. Njëri prej tyre isha dhe unë, kisha mundësinë të merrja një vizë dhe u gjinda në Greqi dhe asnjëherë dëshira dhe ëndrra për të shkelur në një skenë greke nuk u shua. Endrrat kudo bëhen realitet, jo vetëm në SHBA siç është një shprehje paksa e rëndomtë kur thonë se në SHBA të bëhen ëndrrat realitet, por kudo të jesh, çdo pasion, dëshirë dhe këmbëngulje personale do të japi rezultatet dhe frytet e veta. Kjo më ndodhi dhe mua në Greqi.

CMG: Si erdhi angazhimi juaj si aktor në Greqi?

Aleksandër Rrapi: Punësimi im i parë ka qenë me një personalitet të bashkisë së Athinës, që ishte drejtuesi i një qendre kulturore në periferi të Athinës. Ka qenë viti 1996-97, ku me gjuhën greke sapo isha njohur, vështirësitë në tre-katër vitet e para ishin shumë të mëdha. Ai krijoi një besim tek unë, duke më mësuar për të ngritur dhe grupin e parë teatral të rinisë. Në periferi të Athinës është një zonë me emrin Qerateja dhe atje unë ngrita grupin e parë teatral, që ka hyrë në histori, pasi nga viti1996 që ne arritëm të vendosnim një shfaqje të plotë, kemi marrë një miratim absolut, duke pasur dhe vajzën e autorit në sallë. Ajo u befasua që kjo shfaqje luhej për herë të parë nga rinia e kësaj bashkie. Që prej vitit 1997 dhe sot që flasim kjo trupë funksionon rregullisht.

CMG: Si vijoi më pas jeta juaj artistike në shtetin fqinj?

Aleksandër Rrapi: Unë asnjëherë nuk e mohova prejardhjen time nga Shqipëria. Një nga aktivizimet e mia të para ka qenë në televizionin grek në vitin 2002 me regjisor Manusha Manushaqin, ku isha nga shqiptarët e paktë që në këtë telenovelë emri im u shkrua me titra shqip. Nuk është egoizëm të them se kam qenë njeri me fat brenda aftësisë dhe talentit personal. Të luash në një skenë greke, aty ku lindi komedia dhe tragjedia është tepër e vështirë, është ëndërr për çdo koleg dhe për çdo artist në një skenë të huaj. Kur kam shkelur në skenë në vitin 2004, në një teatër me histori shumë të madhe, në tragjedinë Eleni i Euripidit jam ndjerë vërtetë në një ëndërr që e bëra realitet.

CMG: Largimi juaj nga Greqia për në SHBA a solli pengesë në jetën tuaj artistike?

Aleksandër Rrapi: Largimi im fizik nga Greqia nuk ishte asnjëherë pengesë profesionale, sepse pas vitit 2002 unë kam patur shumë oferta dhe kam qenë në rreshtin e parë në tregun artistik dhe në kërkesat regjisoriale, si nga regjisorët e teatrit ashtu dhe të televizionit e filmit. Pas aktivizimit tim në kanalin televiziv Antena të telenovelës dramë “Dashuria erdhi nga larg”, unë kisha një ofertë tepër serioze nga një kanal tjetër i madh, Mega Channel, ku kam luajtur në një telekomedi me kapacitet të plotë, pasi në 30-episode unë isha i aktivizuar në të gjitha. Kjo më hapi dyert dhe të teatrit, sepse në të njëjtin vit unë aktivizohem me një musical, një koordimin midis koreografisë, muzikës, interpretimit skenik dhe të gjithë komponentëve që mbart një musical. Gjithashtu në vitin 2010 u aktivizova në kinematografi me filmin “Askushi”, pasi ka qenë fitues i festivalit të 10-të të filmit të Selanikut, një festival ndërkombëtar me nivele të jashtëzakonshme, ku ka kompani dhe produksione nga gjithë bota. Ky film mori çmimin e publikut, gjë që mua më afroi në propozimin në katër aktorët më të mirë të roleve të dyta.

CMG: Ka qenë i lehtë vendimi për t’u larguar nga Greqia për në SHBA, duke ditur se në shtetin grek keni  zhvilluar një karrierë të admirueshme artistike?

Aleksandër Rrapi: Largimi nga Greqia nuk ishte personal, por ishte një detyrim familjar karshi fëmijëve të mi, duke i parë në një nivel të mirë studimi, isha i detyruar që dhe unë t’i vlerësoja fëmijët si prind me një universitet amerikan. Kisha mundësi të lëvizja dhe e bëra këtë gjë vetëm për fëmijët, por pa u shkëputur nga profesioni.

CMG: Keni mbajtur kontak me kolegë artistë në Greqi, jeni rikthyer për projekte të gjata artistike atje?

Aleksandër Rrapi: Unë mbas 12 vitesh që jetoj në SHBA, marrëdhëniet me kolegët regjisorë dhe aktorë nuk i kam ndërprerë. Kam pasur oferta gjatë gjithë kësaj periudhe, por jo serioze në aspektin financiar dhe profesional. Unë nuk mund të shkëputesha nga SHBA për një, dy apo tre episode, apo diçka modeste. Oferta që mora në vitin 2023-2024 kishte të bënte me një kanal tjetër të ri, Start Channel me një kontratë 6 mujore, ku në 60 episode të xhiruara, unë kam qenë në 57 episode. Kjo vërtetë ishte një surprizë jo vetëm për mua, për fëmijët e mi, por edhe për kontigjentin e aktorëve shqiptarë që jetojnë në Greqi.

 Ka akoma shqiptarë dhe talente të reja shqiptare që kanë ardhur dhe kanë krijuar komunitetin e tyre, por kur gjendesh i ftuar nga larg, e ndjen veten më mirë, duke sfiduar në heshtje shumë nga ata që pëshpërisin rrugëve nëpër kafene, dhe nuk arrijnë të bëjnë të paktën atë që kanë emrin. Në profesionin tonë ka numra aktorësh, por ka dhe emra. Unë jam në listën e atyre që kam bërë një emër.

CMG: Mendoni se jeni me fat që edhe në emigrim keni  zhvilluar profesionin e aktorit?

Aleksandër Rrapi: Kam një edukatë dhe kulturë personale, një trashëgim të profesionit tim nga babai im Thoma Rrapi që ka qenë në vitet 1952-61 në Teatrin Popullor. Kjo zakonisht ndodh me njerëzit që janë me një epidemi që nuk ka vaksinë që mund t’i kurojë. Këtë virus të artit, teatrit dhe pasionit për artin dhe skenën nuk e kam kuruar dhe nuk besoj ta kuroj edhe në këtë moshë që jam. Jam ndjerë mirë, dhe u prita shumë mirë nga komuniteti grek në Florida ku jetoj, sepse ata më krijuan kushte jo vetëm të krijoj një grup teatral me dy mosha, për fëmijë dhe të rritur, por të hap dhe një biznes profesional, një dramë klas teatër.  Prandaj ndjehem vërtetë i përkëdhelur nga profesioni dhe me shumë fat.

CMG: Vini  shpesh në Shqipëri dhe çfarë ju mungon më shumë nga vendlindja?

Aleksandër Rrapi: Vij shpesh në Shqipëri, por nuk kam ardhur asnjëherë i ftuar dhe i respektuar nga kolegët e mi. Ndoshta largimi fizik më ka larguar dhe nga emrat që duhet të isha. Paradoksi më i madh qëndron që ne ftohemi në Greqi nga kolegë grekë, nga regjisorë me shumë eksperiencë për të luajtur në tragjeditë e tyre, dhe krijohet një grup teatral në Shqipëri, ku vihet në skenë një tragjedi dhe ftohet një regjisor grek për të vënë këtu një shfaqje të tragjedisë. Unë e kuptoj mirë që profesioni ynë ka një egoizëm dhe një luftë në heshtje, por  kjo dëmton ata që e kanë këtë lloj sëmundje. Mua nuk më ka dëmtuar aspak, përkundrazi më ka dhënë më tepër energji dhe forcë pozitive, për të përballuar me sukses çdo lloj acarimi brenda vetes, që kam me kolegët që janë pranë teatrit.

CMG: Jeni vlerësuar me çertifikata dhe mirënjohje për kontributin tuaj në artin skenik. Si jeni  ndjerë me vlerësimet, dhe sa ju motivojnë në rrugën artistike?

Aleksandër Rrapi: Jam ndjerë vërtetë i privilegjuar me vlerësimet. Propozimi i parë ka qenë nga disa shoqata, që iu drejtuan qytetit tim të lindjes, Beratit, për të marrë një vlerësim si qytetar nderi. Kjo ishte mbas vlerësimit që Bashkia e Beratit i bëri emrit të babait tim si regjisor i parë në vitin 1963 në pallatin e kulturës të Beratit. Vlerësimi që mori nga bashkia im atë ishte “Nderi i Beratit”. Pas propozimit që mori Bashkia e Beratit nga disa shoqata, marr një vlerësim nga qyteti im i lindjes.

 Pas mbrritjes time në SHBA, unë u propozova nga Akademia e Artit dhe Shkencës Shqiptaro-Amerikane, duke më propozuar për të marrë titullin “Mjeshtër i madh”. Unë kam interpretuar shumë role në Greqi, por dhe në SHBA në një komedi të shkruar enkas nga Herion Mustafaraj. Kështu që nuk i hyj në pjesë askujt në profesion dhe nuk konkuroj me askënd.

CMG: Cilat janë projektet tuaja në vazhdim në lidhje me teatrin dhe kinemanë?

Aleksandër Rrapi: Projekti im i radhës është “Ditari i një të çmenduri”, e cila është shfaqja e Gogolit, një dramë që aktori grek e ka luajtur vite më përpara, dhe sivjet e besoi tek unë. Në fund të muajit tetor do të kem premierën e kësaj shfaqje.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese.

Aleksandër Rrapi: Faleminderit dhe suksese ju që mbani gjallë dëshirën, mallin, kënaqësinë që kemi ne emigrantët e vjetër, dhe që më jepet kjo mundësi të flas në gjuhën time dhe të ndjehem kaq mirë me ju, në këtë vatër që krijoni për ne që vijmë nga jashtë.