Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se Tirana është një nga dhjetë kryeqytetet më të gjelbra të Europës, shkruan ATSH.
Sipas listës së publikuar nga të dhënat e agjencisë, Tirana renditet në dhjetëshen e parë të kryeqyteteve me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë.
Tirana sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit (Foto ATSH)
Tirana lë pas kryeqytete si Brukseli, Athina dhe Beogradi, por ndërkohë renditet e para mes kryeqyteteve të Mesdheut. Kjo është një arritje e rëndësishme për kryeqytetin shqiptar, i cili në 9 vitet e fundit ka përmirësuar ndjeshëm hapësirat e gjelbra, falë edhe ndërhyrjes me aksionet e vazhdueshme për mbjelljen e pemëve nga Bashkia e Tiranës.
Listën e kryeson Sarajeva, qytet i cili gjithsesi nuk është rritur në popullsi edhe pas luftës së 1994. Ndërsa, pas saj renditen vendet baltike dhe skandinave, të cilat njihen për nivelin e lartë të gjelbërimit edhe për shkak të favorizimit të klimës. Për lajmin ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në një postim të tij në rrjetet sociale e cilëson superlajm për Tiranën.
“Një arritje e jashtëzakonshme për gjithë punën e bërë në këto 9 vjet, me mbjelljen e pemëve të reja, si e vetmja mënyrë për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të gjithëve.”, shkroi Veliaj.(Fatosi)