
Të ardhurat e buxhetit (Foto Albanian Construction Portal)
Në konferencën e parë për median si ministër i Financave, Petrit Malaj prezantoi sfidat dhe prioritetet në drejtimin e këtij dikasteri. Që në nisje Malaj ka sjellë një panoramë të situatës ekonomike në vend, ku treguesit kanë qenë pozitive. Gjerësisht ministri është ndalur tek adresimi i çeshtjes së pensioneve.
“Në fokus kryesor të punës është dhe përmirësimi i nivelit të të ardhurave, pasi e kam dhe si sfidë personale për ta adresuar çështjen e pensioneve, e cila është një cështje që na prek të gjithëve. Nuk ka asnjë lloj ngjyrimi politik, as majtas as djathtas, sepse të gjithë kemi prindër e gjyshër në familjet tona. Pra është një nga çështjet për të cilën ne po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Besoj që brenda muajit tetor do të kemi definuar diçka për të adresuar problemin e pensioneve, dhe në fakt jo vetëm për çështjen e pensioneve, por gjithë skemës, e cila nuk është në kushtet më të mira të saj. Gjithashtu në fokusin e punës time do të jetë dhe pjesa se kur do të alokohen financimet apo investimet publike. Ne si ministri do t’i orientojmë investimet dhe financimet në ato sektorë, të cilët kanë dhe kontributin më të madh për sa i përket zhvillimit ekonomik në Shqipëri.”-tha Malaj.
Sipas ministrit Malaj, ekonomia po rritet sipas parashikimeve.
“Përsa i përket zhvillimeve më të fundit makroekonomike në Shqipëri, gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 ka pasur një rritje ekonomike në masën 3.6 %. Kjo rritje ekonomike është mbështetur kryesisht nga sektori i ndërtimit dhe sektori i shërbimit. Gjithashtu, ne shënojmë nivelin më të ulët të papunësisë në historikun e Shqipërisë në nivelin 10.7 %, ndërsa në krahun tjetër kemi një rritje të pagës reale gjatë tremujorit të parë të vitit 2024 në masën 10.8 %. Kontribuuesi kryesor në rritjen e pagës reale ka qenë natyrisht sektori publik me një rritje prej rreth 13 %, që ndiqet nga sektori privat me një rritje në masën 9.7 %. Më duhet të theksoj që rritja e pagave në sektorin publik ushtron një presion pozitiv në sektorin privat, i cili do të duhet ta ndjekë rritjen e pagave, në mënyrë që të jetë i konkurrueshëm në treg. Paga mesatare aktuale në Shqipëri është në masën 710 euro, ndërkohë që paga mesatare në administratën publike është në masën 900 euro.”- u shpreh ministri.

Ministri Petrit Malaj (Foto Këhilli i Ministrave )
Një ndikim të rëndësishëm kanë edhe investimet e huaja direkte me të ardhurat që sjellin.
“Një indikator tjetër i rëndësishëm janë investimet e huaja direkte, të cilat në fund të vitit 2023 shënojnë një stok prej 1.5 miliardë euro, me një rritje prej mbi 8 % në raport me stokun e investimeve të huaja direkte që kemi pasur në fund të vitit 2022. Edhe për tremujorin e parë të vitit 2024 kemi një rritje të investimeve të huaja direkte me rreth 47 milionë euro ose e përkthyer ndryshe në shifra dhe në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023 kjo rritje është 15.2 %.”
Performancë pozitive ka patur edhe në mbledhjen e të ardhurave nga organet tatimore.
“Për sa i përket performancës fiskale në tatime dhe dogana, përgjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024 kemi një rritje të të ardhurave në masën 11.4 % ose e përkthyer në vlerë është mbi 22.4 miliardë lekë më shumë në 7 mujorin e parë të 2024 në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Administrata Tatimore ka kryer edhe një punë shumë të mirë përsa i përket mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, të cilat gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024 ka shënuar një rritje me rreth 11.6 % ose e përkthyer në vlerë monetare ka mbledhur rreth 96 milionë euro më shumë se sa 7 mujori i parë i vitit 2023.”- u shpreh Malaj.
Turizmi ka dhënë ndikim në shumë drejtime.
“Kemi dhe një indikator tjetër i cili reflekton zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konsumit, i cili vjen si pasojë e rritjes së pagave në sektorin publik kryesisht, por edhe i rritjes së turizmit. Kemi një rritje të deklarimit të xhiros të subjekteve. Kjo rritje raport me 7 mujorin e vitit 2023 është rreth 45 % më shumë, ose e përkthyer në vlerë monetare kemi rreth 2.1 miliardë euro më shumë të deklaruara si xhiro vjetore gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2024.”
Edhe në drejtim të mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale shifrat janë pozitive.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka pasur performancë të mirë edhe në mbledhjen e tatimit mbi të ardhurat personale, ku edhe në këtë tatim rritja është dyshifrore. Në sektorin publik rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat është në masën 21.4 %, ndërkohë që në sektorin privat rritja e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale, krahasuar me 7 mujorin e 2023, është 14.9 % më shumë. Përsa i përket performancës në total të tatimeve, lidhur me mbledhjen e kontributeve dhe tatimeve direkte dhe indirekte, në raport me 7 mujorin 2023, kemi një rritje të tatimeve me 11.3 % ose 22.2 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.Përsa i përket doganave, edhe ato kanë pasur një performancë të mirë. Doganat paraqiten në 7 mujorin e parë të vitit 2024 me një rritje prej 7.9 % ose e përkthyer në vlerë monetare rreth 96 milionë euro më shumë se sa 7 mujori i vitit 2023.”
Indikatorë të tjerë të rëndësishëm që reflektojnë zhvillimet pozitive ekonomike në vend janë edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara tha Malaj. Ndërkohë niveli i borxhit është në trajektore rënëse.
“ Kemi mbi 4700 biznese më shumë në 7 mujorin e vitit 2024 se sa në 7 mujorin e vitit 2023. Nga ana tjetër kemi pozicione të reja pune, mbi 13 mijë pozicione më shumë në 7 mujorin e 2024 në raport me 7 mujorin e 2023, sikundër kemi shtuar dhe numrin e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me mbi 8900 persona më shumë.Në vija të përgjithshme, përsa i përket pjesës së borxhit, borxhi në fund të vitit 2023 ka qenë në nivelet 58.9 %, në përputhje edhe me detyrimet ligjore dhe asaj që parashikon ligji për buxhetin. Ne parashikojmë që gjatë vitit 2024 nivelin e borxhit ta ulim në 58.2 % ose 0.7 % më pak se sa fundi i vitit 2023.E thënë kjo, në bazë edhe të performancës pozitive që ka pasur ekonomia në përgjithësi por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave, ne kemi krijuar hapësira të reja fiskale për vitin 2024 dhe 2025, që do të thotë më shumë investime nga ana e shtetit.”
Përsa i përket investimeve kapitale, në bazë të të ardhurave dhe të hapësirave fiskale Financat planifikojnë që për vitin 2024-2025, investimet kapitale nga ana e qeverisë të shkojnë në masën 340 milionë euro më shumë se sa ishin planifikuar në fillim të këtij viti.

Pensioniste (Foto lajme.al)
“Gjithashtu, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave, e jo vetëm të ardhurat nga tatimet e doganat, por edhe të ardhurat që janë realizuar nga pushteti vendor apo të ardhurat jo tatimore, Ministria e Financave, ashtu siç jeni vënë në dijeni, në fund të muajit Gusht, i propozoi Këshillit të Ministrave disa ndryshime të rëndësishme në buxhetin e vitit 2024. Këto të ardhura shtesë u menduan që të shpërndahen në mënyrë që të kenë një ndikim më të lartë social, por nga ana tjetër natyrisht të kontribuojnë më shumë në ato sektorë të cilët kontribuojnë dhe më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit, siç janë infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia, dixhitalizimi, e kështu me radhë.”
Sipas të dhënave janë rritur financimet e investimeve në infrastrukturë.
“ Pasi infrastruktura, siç e dimë të gjithë, është e nevojshme për të suportuar sektorë të rëndësishëm në Shqipëri, siç është edhe sektori i turizmit, i cili është një nga sektorët me ndikimin më të madh në zhvillimin ekonomik në vend. Vetë publikimi i bërë nga Kryeministri Rama para disa ditësh përsa i përket numrit të pasagjerëve të cilët kanë kaluar nëpërmjet aeroportit të Rinasit është mbresëlënës, ku vetëm për periudhën janar-gusht numri i pasagjerëve është rritur me rreth 2.6 milionë pasagjerë, ndërkohë që e shprehur në përqindje është mbi 56%. Natyrisht ky numër i madh turistësh ka nevojë që të mbështetet me infrastrukturë dhe për këtë arsye ne i konsiderojmë investimet infrastrukturore si shumë të rëndësishme.”
Përsa i përket alokimit të fondeve me sfond social, në buxhetin e rishikuar të vitit 2024 janë parashikuar financime shtesë edhe për Ministrinë e Brendshme. Financime shtesë për kompensimin e ushqimit të punonjësve të policisë, por edhe kompensimin e orëve shtesë që ata kanë punuar gjatë sezonit turistik për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë e vetë sezonit.
