Shërbim i detyrueshëm ushtarak në Serbi, Vuçiç: Do njoftojmë publikun për ndryshimet!
2024-09-09 17:18:14

Presidenti serb Vuçiç (Foto Balkanweb)

Presidenti serb Vuçiç (Foto Balkanweb)

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se në 20 ditët e ardhshme publiku do të njoftohet për vendimin përfundimtar për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, njofton RTSH.

“Sot jemi duke bërë diskutime përfundimtare për shërbimin e mundshëm ushtarak dhe presim vendimin tonë në 20 ditët e ardhshme, kur të bëhet ribalancimi i buxhetit dhe deri më 10 tetor, gjithçka do të dihet”, tha Vuçiç.

Ai tha se qeveria e tij po mendon për një reformim të thellë të ushtrisë dhe se shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat dhe vullnetar për gratë.

Sipas Vuçiçit ky ligj do të rriste numrin e rekrutëve të cilët do të ishin të gatshëm për të shërbyer në ushtri në çdo rast të mundshëm.

Vuçiç shtoi se koha e ushtrisë me detyrim do të ishte për një afat prej 75 ditësh. Ai theksoi se kjo nismë do të marrë jetë brenda një viti dhe premtoi se gjatë kohës që të rinjtë do të kryejnë shërbimin e detyrueshëm do të paguhen.

“75 ditë është minimale. Pesë herë më pak se sa shërbeva unë. Do të jepnim kompensim monetar për kohën e kaluar në kazermë. Ne duhet ta marrim atë vendim shpejt”,  u shpreh presidenti serb duke shtuar se është rënë dakord që kazermat të rindërtohen në pjesë të ndryshme të Serbisë.(Fatosi)