Mijëra protestues kundër kryeministrit të ri Barnier
2024-09-09 15:27:30

Protesta në Francë (Foto ATSH)

Protesta në Francë (Foto ATSH)

Mijëra demonstrues protestuan të shtunën kundër emërimit të Michel Barnier si kryeministër i Francës, shkruan ATSH. Autoritetet prisnin që rreth 15,000 njerëz të merrnin pjesë në protestat në mbi 100 qytete në të gjithë vendin, duke përfshirë Parisin, Bordeaux dhe Nante.

Protestat u organizuan nga partia e majtë “La France Insoumise”, një nga anëtarët e aleancës Fronti i Ri Popullor (NPF) që fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, në korrik.

NPF ka reaguar me zemërim pasi presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të emëronte kandidatin e tij si kryeministër dhe këtë javë zgjodhi konservatorin Barnier për të formuar një qeveri. Ndërsa mori detyrën të enjten në mbrëmje, Barnier njoftoi një drejtim të ri politik për Francën, por mbetet e paqartë me cilat parti 73-vjeçari synon të qeverisë.

Tashmë ka pasur sugjerime se Barnier mund të kthehet tek e djathta ekstreme.(Fatosi)