CFP
Supertajfuni “Yagi” goditi provincën ishullore të Kinës jugore Hainan me shi të dendur dhe erëra të forta, duke lënë të paktën dy të vdekur dhe 92 të plagosur, thanë autoritetet lokale të shtunën, citon “Xinhua”.
Dy viktima u konfirmuan në qarkun Ding'an, ndërsa Wenchang raportoi 12 të plagosur dhe Haikou raportoi 80 lëndime deri mëngjesin e të shtunës, sipas të dhënave zyrtare.
Ndërsa erërat dhe reshjet u qetësuan, Hainan uli alarmin për tajfun dhe nisi operacione të shpejta rikuperimi në të gjithë provincën. Mbi 2200 punëtorë u mobilizuan për të rivendosur energjinë në më shumë se 1.5 milionë familje të prekura.
U morën masa edhe për riparimet dhe pastrimin e rrugëve, për të rinisur qarkullimi i automjeteve dhe trenave.
Shërbimet e trageteve në ngushticën Qiongzhou pritet të rifillojnë sot në mbrëmje.
Aeroporti Ndërkombëtar Haikou Meilan u mbyll përkohësisht për shkak të mbetjeve të tajfunit “Yagi”, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar Sanya Phoenix në qytetin popullor turistik të Sanya filloi gradualisht shërbimet e fluturimit mëngjesin e të shtunës.
CFP
Ekipet e shpëtimit u angazhuan edhe për të rivendosur komunikimet, pasi më shumë se 12.500 stacione bazë u dëmtuan në të gjithë provincën, me qytetin Wenchang që pësoi dëmin më të madh në objektet e tij të komunikimit.
Super tajfuni “Yagi”, tajfuni i 11-të i këtij viti, ra dy herë në Kinë të premten, duke goditur fillimisht Hainan dhe më vonë provincën Guangdong. (Irma)