Presidenti Xi Jinping kërkon shtimin e ndihmës kundër fatkeqësisë pasi supertajfuni "Yagi" goditi Kinën Jugore
2024-09-08 17:30:01

Xinhua

Pemët janë shkulur në qytetin Qionghai pasi supertajfuni Yagi mbërriti në provincën Hainan, në jug të Kinës, 7 shtator 2024/CFP

Presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për shtimin e përpjekjeve për zbutjen e fatkeqësisë pasi supertajfuni Yagi goditi rajonin jugor të vendit.

"Yagi", tajfuni i 11-të i këtij viti, mbërriti në provincat Hainan dhe Guangdong të premten, duke lënë katër të vdekur dhe 95 të plagosur.

Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, kërkoi përpjekje për të garantuar sigurinë e jetës së njerëzve dhe pronës së tyre.

Ai bëri thirrje për mobilizimin e përpjekjeve të shpëtimit, trajtimin siç duhet të çështjes së zhvendosjes dhe shpërnguljen e njerëzve të prekur, parandalimin e fatkeqësive dytësore dhe  bërjen e të gjitha përpjekjeve për të minimizuar numrin e viktimave.

Shtabi Shtetëror i Kontrollit të Përmbytjeve dhe Ndihmës në Rast Thatësire ka dërguar grupe pune në Hainan e Guangdong për të drejtuar përpjekjet e shpëtimit.

Tajfuni ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në provincat Hainan e Guangdong dhe Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang dhe ka shkaktuar ndërprerje në shkallë të gjerë të energjisë elektrike dhe të komunikimit për shumë përdorues, si dhe shembje të disa shtëpive. Aktualisht, energjia dhe komunikimi janë rikthyer pjesërisht.(Xu Guang)