Olimpiada e Parisit: Skuadra e Kinës shënon rekorde olimpike dhe fiton medalje historike në ditën e 12-të
2024-08-08 11:22:56


Dita e 12- të e Olimpiadës së Parisit, e mërkurë 7 Gusht, ishte një tjetër ditë emocionuese për Skuadrën e Kinës, e cila shënoi rekorde të reja olimpike dhe siguroi medalje, përfshirë edhe një medalje të artë historike. 

Për herë të parë në historinë e vendit, ekipi kinez i notit akrobatik mori medalje ari në not artistik, duke fituar me 996 pikë, një epërsi prej afro 82 pikësh ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat fituan medalje argjendi.

Peshëngritësi kinez Li Fabin mori medalje ari dhe vendosi një rekord të ri në kategorinë 61 kg. Ai vendosi rekord olimpik duke ngritur 143 kg (315 paund) në përpjekjen e tij të fundit dhe vulosi fitoren me 310 pikë.

Edhe Hou Zhihui shënoi një rekord olimpik në peshëngritjen për femra në kategorinë 49 kg, duke ngritur në mënyrë impresonuese 206 kg.

Në Taekwondo, Guo Qing e Kinës fitoi medalje argjendi në kategorinë e peshave të lehta për femra, në ndeshjen me kampionen olimpike në fuqi, Panipak Wongpattanakit nga Tajlanda.

Lojtarja kineze Deng Lijuan fitoi medalje argjendi në finalen e ngjitjes sportive me shpejtësi për femra, një disiplinë e re sportive që debutoi në Paris 2024. Koha e Dengut ishte vetëm 0.08 sekonda pas fitueses polake, Aleksandra Miroslaw.

Feng Ziqi mori medalje bronzi në mundjen e lirë për femra, duke mposhtur 6-4 lojtaren mongole Otgonjargal Dolgorjav.

Kina gjithashtu siguroi pozicionin e saj në finalen e hokejit në fushë për femra ndaj Hollandës, duke mposhtur Belgjikën në gjysëmfinale.

Në pingpong, Skuadra e Kinës u fut me sukses në ndeshjet gjysëmfinale për meshkuj dhe femra. (Jiang Lei)