Mushkonjë (Foto ATSH)
Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka ngritur shqetësimin për një tendencë të vazhdueshme rritëse të shpërthimeve lokale të virusit të Nilit Perëndimor.
Rastet e infeksioneve të virusit të Nilit Perëndimor janë tani një dukuri e zakonshme gjatë muajve të verës pas vitit 2010. Në vitin 2023, vendet e BE-së raportuan 713 raste, të marra nga 123 rajone të ndryshme të nëntë vendeve të BE-së, bën të ditur “ATSH”. Po ashtu, u raportuan 67 vdekje.
Numri i rasteve të raportuara është më i ulët se në vitin 2022, me 1 133 raste, por numri i rajoneve të prekura është më i larti që nga kulmi në vitin 2018, duke treguar qarkullimin e gjerë gjeografik të virusit.
“Europa tashmë po sheh se si ndryshimet klimatike po krijojnë kushte më të favorshme që mushkonjat pushtuese të përhapen në zonat e paprekura më parë dhe të infektojnë më shumë njerëz. Rritja e udhëtimeve ndërkombëtare nga vendet endemike do të rrisë gjithashtu rrezikun e rasteve të importuara dhe, në mënyrë të pashmangshme, edhe rrezikun e epidemive lokale”, - paralajmëroi Andrea Ammon, drejtor i ECDC. (Elona)