Fondet e BE-së (Albanian Construction portal)
Bujqësia shqiptare është tashmë në një dinamikë zhvillimi e përmirësimi të pakthyeshëm, ndërkohë që një kontribut kolosal ka dhënë programi i BE-së, IPARD II. Kështu u shpreh Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj për fondet IPARD. Ministrja Denaj në fjalën e saj para Kuvendit të Shqipërisë solli fakte, prova, evidenca dhe të dhëna lidhur me një kontribut të jashtëzakonshëm të programit në sektorin bujqësor të Shqipërisë, në aktivitetin ekonomik të fermerëve dhe jetën e qytetarëve.
“Kontributi i Bashkimit Evropian në sektorin e bujqësisë është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e sektorit bujqësor në Shqipëri, është për Qeverinë Shqiptare, për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të vijuar më tej progresin e nisur në 5 vitet e fundit. Përpara 5 vitesh filloi programi IPARD II, pas një procesi të rëndësishëm akreditimi dhe trajnimi të kapaciteteve të brendshme institucionale. Dua të rikujtoj se është një program që ka kontribut të fondeve të Bashkimit Evropian në masën 75% dhe të qeverisë shqiptare në masën 25%, në total 96 milion euro. Programi IPARD ka kontribuar në mënyrë domethënëse në atë që është rritja dhe zhvillimi i njësive ekonomike të bujqësisë shqiptare, përmirësimi i sigurisë ushqimore dhe vlera e shtuar e produktit shqiptar. Me shumë siguri, them se pa këtë mbështetje dhe pa fondet e mbështetjes së drejtpërdrejte nga qeveria shqiptare që janë 5 fishuar në vitet e fundit kjo ekonomi bujqësore, që kontribuon në mënyrë domethënëse në PBB nuk do të ishte ajo që shohim sot.”
Në interpelancën e mbajtur në parlament, Ministrja Denaj u ndal edhe tek investimet në pikat e grumbullimit.
“Para 5 vitesh, për ata që merren me bujqësi dhe ata deputetë që vijnë nga zonat rurale, do t’ju kujtohej shumë mirë në mungesë të pikave të grumbullimit, seleksionimi dhe grumbullimi bëhej në shesh, malli shkonte nga fusha me temperaturat e fushës direkt në kontenierët për transport, pa kaluar në dhomat frigoriferike dhe në gjendjen e shokut sot është e domosdoshme një temperaturë 6 gradë Celcius si rezultat i investimeve të ndodhura në këto dhoma ruajtëse frigoriferike, ku mungonte mekanika, por njëkohësisht edhe mangësia e certifikimit Global Gap, që siguron cilësinë, investimet infrastrukturore në serra. Për shumë që janë nga zona e Beratit, Fierit dhe Lushnjes e dinë shumë mirë se si është transformuar në vitet e fundit nga plastmasi në serra moderne, të cilat edhe falë ndryshimeve më të fundit të VKM-së 283 mundësuan një rritje me 20% të prodhimit për të njëjtat investime. E për të folur me shifra dhe fakte, është shumë me vlerë për ta ritheksuar se në IPARD II, janë mbështetur 540 investime, në çdo cep të Shqipërisë, nga veriu në jug. Janë krijuar mundësi punësimi për më shumë se 1000 punonjës dhe kemi siguruar zgjerim të eksporteve në mbi 80 tregje ndërkombëtare elitare.”-u shpreh Denaj.
AnilaDenaj (Ministria e Zhvillimit Bujqesor dhe Rural)
Po ashtu Ministrja detajon edhe shpërndarjen e fondeve sipas qyteteve dhe po ashtu sipas sektorëve ku është investuar.
“Janë 73 investimeve ne serra, të vendosura në zonat ku ndodh bujqësia intensive: Lushnja, Divjaka, Berati, Fieri dhe ku sipërfaqja në hektarë në serra ka shkuar nga 1000 ha serra, para 6 viteve, në 2200 ha. Nuk po flas këtu për cilësinë, por vetëm për madhësinë. Janë realizuar 137 investime në mekanikë bujqësore me shumë agregate, traktorë për frutikulturën, pompa, plug, freza e makineri të ndryshme, që kanë lehtësuar punën e krahut, sepse bujqësia ka një peshë të rëndësishme në atë që është punë krahu, por njëkohësisht ka ndihmuar në daljen më herët në treg. Janë 72 pika grumbullimi, të cilat kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejt nga skema IPARD dhe e kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë cilësinë e produktit për eksport. Ngritja e një rrjeti të gjerë të agro-turizmave jo vetëm që i kanë shërbyer ndryshimit rrënjësor të imazhit turistik të Shqipërisë, por i kanë dhënë turizmit rural një shtysë zhvillimore të paprecedentë në çdo pjesë malore të Shqipërisë. “
Agroturizmi zë një rol të rëndësishëm në këto investime.
“Janë 80 investime të programit në sipërmarrjet agro-turistike, të cilat sot ushtrojnë një presion në prodhimin e brendshëm ushqimor edhe më të lartë se eksportet, duke i kaluar ato me 1.5 herë. Agroturizmat sot kontribuojnë në atë që është vlera e zinxhirit, sepse një agroturizëm sot kontribuohet nga 20 familje dhe angazhon 11 ha. 46 investime janë në kantinat e verës dhe nuk më thotë dot njeri këtu, që nuk e ka shijuar këto vite, jo vetëm cilësinë më të rritur të verërave shqiptare, nuk është krenuar me verën shqiptare, që jo vetëm ka rritur eksportet, por na bën krenar me produktet që ne promovojmë,dhurojmë. Janë 34 investime në stalla e ferma blegtorale, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e madhësisë së fermës në ato që kanë në vetëvete më shumë se 50 krerë. Programi ka kontribuar në 40 fabrika përpunimi agro-ushqimore, duke ndikuar direkt në produktit “Made in Albania. Pa lënë mënjanë 31 investime, të cilat janë zhvilluar duke mbështetur promovimin e përdorimit eficent të burimeve të energjisë së rinovueshme.”- tha Denaj.
Sipas Denajt, çdo mbështetje, që fermerët dhe bujqit shqiptarë patën marrë nga IPARD dhe mbështetja buxhetore e qeverisë shqiptare është e evidentuar dhe hartëzuar, e prekshme në çdo cep të vendit. Po ashtu premtohet se mbështetja buxhetore e skemës së drejtëpërdrejt është rritur në vitet e fundit dhe do të vijojë të rritet. Për të vërtetuar rezultatet bazohet edhe tek shifrat e instat.
“Faktet nuk mund të mohohen! Sipas INSTAT në harkun kohor të pesë viteve të fundit pas zbatimit të IPARD, bujqësia shqiptare si sektor është rritur me 1,3 miliardë EURO, ose rreth 34% më shumë, nga 2.5 miliardë në 3.8 miliardë EURO. Këto janë shifra dhe fakte dhe këto i sjell këtu për të mos dhënë asgjë më shumë se sa faktet që bujqësia është drejt rritjes dhe jo ashtu se si e pikturoni ju. Fakte, që përforcojnë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithëve dhe qeverisë shqiptare për të vijuar më tej me mbështetje buxhetore. Ky është një proces, i cili si për çdo vend tjetër në fazën e para-anëtarësimit, ka si objektiv përmirësimin institucional dhe rritjen e kapaciteteve njerëzorë.”
Foto Po.al
Lidhur më pyetjen nëse ka analizuar ministria raportin e zyrës së OLAF, Denaj sqaron.
“Po ju them në krye të herës, që ka një qasje jo të saktë të raporteve që secili nga ju i bën referencë dhe do filloj me OLAF, i cili ka kryer hetimin administrativ në strukturën zbatuese IPARD përgjatë viteve 2021-2023, ku në përfundim të këtij hetimi, iu përcoll Autoriteteve Shqiptare nëpërmjet DG-Agrit që komunikon me Ministrinë e Bujqësisë. Ekstrakti i raportit nga zyra e tij në tetor të 2023 dhe ky është dokumenti zyrtar që DG- Agri nëpërmjet zyrës së delegacionit të BE-së ka dorëzuar në Qeverinë Shqiptare. Sigurisht është shumë e rëndësishme t’a theksoj këtu rolin e komisionit, rolin e DG-Agrit si kontraparti i vetëm, me të cilin ministria dhe qeveria komunikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Po, është e vërtetë që raporti i OLAF-it ka shkuar në organet e drejtësisë, sepse janë komunikime të caktuara. OLAF nuk komunikon në komisione, që ne bashkërendojmë. Ne bashkërendojmë me DG-Agrin dhe puna me DG-Agrin ka nisur në fund të vitit të shkuar me kthimin e përgjigjes së kërkesave për të cilat ju bëtë referencë.”
Denaj tha se më 20 dhjetor të vitit 2023 është kërkuar përgatitja e një DRAFT Plani e Veprimit.
“Konkretisht çfarë punësh kemi bërë në frymë të një plani veprimi, që është ende në proces aprovimi në strukturat e Komisionit Evropian, por puna për të cilin ne kemi marrë angazhim ka filluar në janar të këtij viti. Konkretisht: Kemi ndërmarrë veprime të shpejta korrigjuese, për projekte, të cilat janë pjesë e raportit OLAF për rikuperimin e fondeve, është miratuar struktura e re organizative për AZHBR, që forcon mekanizmat kontrollues, parandalues dhe zbulues për çdo parregullsi, po punojmë për rritjen e kapaciteteve të vlerësimit përmes sistemeve dixhitale duke mundësuar një informacion më të zgjeruar, detajuar dhe të kontrolluar për të gjithë detajet që ky plan veprimi ka marrë si angazhim, mbështetur në procedura ligjore, është në proces evidentimi të plotë “roli i konsulentit”, i cili më duhet të theksoj këtu, se marrëdhënia mes Konsulentit dhe Aplikuesit/Përfituesit është një marrëdhënie e lirë mes palëve.”
Nga Ministrja u tha se jo vetëm AZHBR, por të gjitha strukturat , që mbulojnë “procedurat” IPARD po ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar standardet më të larta të menaxhimit financiar dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve të BE-së.
“Ne kemi punuar përgjatë kësaj kohe, kemi përparuar dhe kemi punuar fort dhe kemi marrë edhe vlerësime nga DG- Agri për punën që kemi bërë deri tani. Ato letra nuk erdhët të na i nxirrni këtu. Si duket nuk kanë arritur deri tek ju, por mund t’jua përcjell unë. E megjithatë, ne kemi shumë punë për të bërë, por dua të them këtu dhe të theksoj, që ne nuk kemi dalë të bëjmë politikë me këtë raport, por për të punuar dhe për të sqaruar disa çështje në aspekte proceduriale kemi nevojë t’i përmirësojmë.“
IPARD III, ka 9 masa nga 4 masa, që është një proces i cili kërkon plotësimin e më shumë dokumentacioneve dhe institucioneve të forta.