Deklaratë e publikuar nga Agjencia Botërore e Antidopingut
Një deklaratë e publikuar nga Agjencia Botërore e Antidopingut ka vënë në pikëpyetje integritetin e Agjencisë së Antidopingut të ShBA-së (USADA), e cila akuzohet se ka lejuar sportistët që kanë marrë doping të garojnë për vite të tëra, duke shkelur drejtpërdrejt Kodin Botëror të Antidopingut dhe vetë rregullat e USADA-s.
"Kjo skemë e USADA-s ka kërcënuar integritetin e garave sportive, të cilin Kodi kërkon të mbrojë", thuhet në deklaratë. "Në kundërshtim me pretendimet e bëra nga USADA, WADA nuk ndjek praktikën e lejimit të mashtruesve me anë të drogës të konkurrojnë për vite, me premtimin që ata të përpiqen të sigurojnë prova inkriminuese kundër të tjerëve."
WADA tha gjithashtu se kishte zbuluar të paktën tre raste kur sportistët që kishin kryer shkelje serioze të rregullave të antidopingut u lejuan të vazhdonin të konkurronin për vite me radhë, ndërkohë që vepronin si agjentë të fshehtë të USADA-s, pa e njoftuar WADA-në.
Kampioni amerikan olimpik i Athinës në 100 metra, Justin Gatlin doli pozitiv në testin e dopingut për dy herë/CMG
Më pas WADA përmendi disa shembuj të detajuar. "Në një rast, një atlet i nivelit elitar, i cili konkurroi në kualifikimet olimpike dhe veprimtaritë ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara, pranoi se kishte marrë steroide e EPO, por u lejua të vazhdonte të garonte deri kur e la sportin."
"Rasti i tyre nuk u publikua kurrë, rezultatet nuk u skualifikuan kurrë, paratë e çmimeve nuk u kthyen kurrë dhe asnjë pezullim nuk u bë kurrë."
Atleti amerikan, Erriyon Knighton, që doli pozitiv në testin e dopingut në mars të këtij viti, marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Parisit/CMG
WADA nuk dha emrat e atletëve në fjalë, duke përmendur shqetësimet e sigurisë në rast se ata përballeshin me hakmarrje.
WADA e quajti gjithashtu "ironike dhe hipokrite" që USADA dyshonte për organizata të tjera të dopingut, ndërsa vetë lejoi që mashtruesit të vazhdonin të konkurronin në rast se do t'i ndihmonin të kapnin shkelës të tjerë të mundshëm.(Xu Guang)
Atleti amerikan Gil Roberts që fitoi medaljen e artë në stafetën 4x400 metra në Lojërat Olimpike të Rios, doli pozitiv në testin e dopingut për tre herë/CMG