Muzeu Etnografik i Krujës, mijëra vizitorë në 2 javët e para pas rihapjes
2024-08-08 16:25:40

Muzeu i Krujës (Foto ATSH)

Në vetëm 2 javë pas rihapjes është vënë re interes në rritje për Muzeun Etnografik të Krujës, i cili është vizituar nga rreth 2,000 vizitorë.

Muzeu tashmë është një ndalesë e pashmangshme gjatë turit që turistët kryejnë në Shqipëri, por nuk mungojnë edhe vizitorët vendas, shkruan “ATSH”.

Përveç objekteve, dokumenteve etj., muzeu ofron copëza të jetës së përditshme të shqiptarëve. Një nga pjesët më interesante të muzeut është dhoma e veshjes virtuale, e cila i lejon vizitorët të bëjnë “selfie” teksa provojnë virtualisht veshje tradicionale që datojnë nga shekulli XVIII.

Parashikohet që muzeu të tërheqë më shumë vizitorë, duke nxitur ekonominë vendase dhe duke gjeneruar burime të reja të ardhurash për komunitetin. Ky thesar arkitekturor është vizituar deri tani nga 75 mijë turistë ose me 110% më shumë, krahasuar me 6-mujorin e parë të 2023-shit. (Elona)