Ministri i jashtëm italian Tajani (Foto AbcNews)
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani i kërkoi Iranit të “ushtrojë moderim” në Lindjen e Mesme, duke kërkuar garanci sigurie në Detin e Kuq, njofton ATSH.
“Italia, e cila mban presidencën e radhës të G7, fton Iranin të kontribuojë në një fazë të shmangies së përshkallëzimit në të gjithë rajonin e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme”, tha në fundjavë ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.
Thirrja erdhi mes tensioneve në rritje midis Iranit dhe Izraelit, pas një sulmi me raketa në Konsullatën iraniane në kryeqytetin sirian, Damask, në fillim të këtij muaji, i cili vrau disa gjeneralë të lartë dhe anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, ka kërcënuar se ushtria e vendit të tij do të godiste Iranin drejtpërdrejt, nëse Teherani niste një sulm kundër Izraelit. (Fatosi)