Joe Biden (Foto RTSH)
Presidenti amerikan Joe Biden e ka konsideruar lirimin e të burgosurve amerikanë nga Rusia si fitore të diplomacisë së SHBA-së. “Marrëveshja që siguroi lirinë e tyre ishte një vepër e diplomacisë. Gjithsesi, ne kemi negociuar lirimin e 16 personave nga Rusia, duke përfshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë që ishin të burgosur politikë në vendin e tyre. Disa nga këta burra dhe gra janë mbajtur padrejtësisht për vite me radhë. Të gjithë kanë duruar vuajtje të paimagjinueshme dhe agonia e tyre ka marrë fund”,- tha Biden.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Biden do të punojë për të sjellë në shtëpi çdo amerikan të arrestuar padrejtësisht, bën të ditur “RTSH”.
Biden tha më tej se ai është mirënjohës ndaj aleatëve gjatë negociatave të vështira dhe komplekse për të arritur këtë rezultat, duke përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë.
“Marrëveshja është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kesh miq në këtë botë, të cilëve mund t'u besosh dhe të mbështetesh”,- tha Biden, ndërsa shtoi se nuk do të ndalojë së punuari derisa çdo amerikan i arrestuar ose i mbajtur peng padrejtësisht në mbarë botën të ribashkohet me familjen e tij. (Elona)