Foto nga CFP
Të mërkurën, një i dërguar i posaçëm kinez e dënoi ashpër vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili vdiq në një sulm ajror në Teheran të Iranit, duke e quajtur këtë një sabotim të hapur të përpjekjeve për paqe dhe një shkelje brutale të parimeve ndërkombëtare të sovranitetit e të tërësisë territoriale.
"Kina është thellësisht e shqetësuar për mundësinë e destabilizimit të mëtejshëm të rajonit nga kjo ngjarje," theksoi Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Konflikti i Gazës, i cili ka zgjatur për gati 300 ditë, ka shkaktuar rreth 40 000 viktima, duke ngjallur një krizë të paparë humanitare. Megjithëse u miratua Rezoluta Nr. 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi dy muaj më parë, negociatat për armëpushim janë ende pezull. Pasojat e konfliktit tani po përhapen në zonat fqinje, me konflikte të shpeshta mes Libanit dhe Izraelit, Sirisë e Izraelit, si edhe në Detin e Kuq. Situata në Lindjen e Mesme është bërë më e rrezikshme, vuri në dukje përfaqësuesi i Kinës.
Fu Cong u bëri thirrje më tej të gjitha palëve të përfshira të dëgjojnë thirrjen e bashkësisë ndërkombëtare për armëpushim, të zbatojnë plotësisht rezolutën e Këshillit të Sigurimit dhe të bashkëpunojnë aktivisht me përpjekjet e ndërmjetësimit ndërkombëtar për të zbutur situatën dhe rivendosur paqen e qëndrueshmërinë rajonale, në vend të vazhdimit të veprimeve provokuese e të rrezikshme.
Ai tha se Kina kundërshton dhe dënon fuqishëm veprimet e papërgjegjshme kohët e fundit të sulmeve izraelite në jug të Bejrutit dhe përsëriti se zgjidhja ushtarake dhe keqpërdorimi i forcës nuk janë rrugët për zgjidhjen e problemit, po vetëm se do ta përshkallëzojnë më tej krizën.
Duke theksuar se përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës është shkaktuar nga dështimi i armëpushimit të Gaza, Fu u kërkoi të gjitha palëve ta respektojnë konsensusin ndërkombëtar dhe të zbatojnë menjëherë armëpushimin, për të shpëtuar jetë dhe për të zbutur fatkeqësitë humanitare, duke frenuar përhapjen e konfliktit.
I dërguari kinez i kërkoi Izraelit të ndalojë të gjitha veprimet ushtarake në Gazë dhe u bëri thirrje vendeve me ndikim të ushtrojnë trysni mbi palët përkatëse për të shuar zjarrin e luftës në Gazë dhe për të rivendosur paqen. (Fani)