Foto nga VCG
Turqia dhe Autoriteti Palestinez kanë dënuar të mërkurën vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Iran, nga një sulm izraelit.
“Ne dënojmë vrasjen e shefit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në një atentat të urryer në Teheran”,- bëri të ditur në një deklaratë Ministria e Jashtme e Turqisë.
Kryediplomacia turke përsëriti se akti i Izraelit synon të përshkallëzojë luftën në Gaza në shkallë rajonale dhe se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn për të ndaluar Izraelin, i gjithë rajoni do të përballet me konflikte shumë më të mëdha, përcjell “RTSH”.
Edhe kryetari i Parlamentit turk, Numan Kurtulmuş, dënoi vrasjen e liderit politik të Hamasit.
Presidenti i Autoritetetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e ka dënuar vrasjen, ashtu sikurse edhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të komentonte menjëherë për ngjarjen. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se ai nuk mendon se lufta në Lindjen e Mesme është e pashmangshme, por nëse Izraeli do të sulmohej, SHBA-ja do të ndihmonte në mbrojtjen e tij. (Elona)