Irani zotohet të hakmerret ndaj Izraelit për vrasjen e udhëheqësit të lartë të Hamasit
2024-08-01 14:19:53

Foto nga VCG

Irani dhe aleatët e tij bënë të ditur se Izraeli do të përballet me një hakmarrje të ashpër për vrasjen e liderit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, një sulm që ka rritur në mënyrë dramatike tensionet në rajon.

“Regjimi kriminal sionist ka vrarë mysafirin tonë në shtëpinë tonë. Do të ketë një dënim të ashpër”,- tha lideri suprem iranian ajatollahu Ali Khamenei.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe Hamasi konfirmuan vdekjen e Haniyeh në një rezidencë ku ai po qëndronte në Teheran, shkruan “ATSH”.

Sulmi ndodhi disa orë pasi ai mori pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të vendit, Masoud Pezeshkian. Ai ishte takuar edhe me Khamenein.

Media shtetërore iraniane bëri të ditur se Haniyeh, i cili ishte vendosur në Katar dhe kishte udhëhequr operacionet politike të grupit militant palestinez për vite, u godit nga një objekt nga ajri në orën 2 të mëngjesit.

“Ky ishte një akt frikacak dhe përgjegjësit patjetër do të marrin një përgjigje të duhur”,- tha zëdhënësi i këshillit, Ebrahim Rezaei.

Ushtria izraelite nuk e ka komentuar atentatin, megjithëse politikanët izraelitë e kanë mirëpritur vdekjen e tij. (Elona)