CFP
Fondi Botëror i Kafshëve të Egra (WWF) bëri të ditur se popullsia globale e tigrave të egër është rritur nga afërsisht 3200 në vitin 2010 në rreth 5500 gjatë këtij viti, me vende të tilla si Kina, Rusia, India dhe Nepali që kanë dyfishuar popullatat e tyre, përcjellë “Xinhua”.
Të dhënat u njoftuan në Forumin e dytë Ndërkombëtar për Ruajtjen dhe Rimëkëmbjen e Tigrave dhe Leopardëve, të mbajtur në qytetin e Harbinit, në provincën Heilongjiang të Kinës verilindore.
Në Kinë, habitatet e tigrave të egër janë restauruar dhe përmirësuar në mënyrë efektive, duke çuar në një rritje graduale të popullsisë së tigrave të egër, tha Zhou Fei, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Zyrës së Përfaqësuesit të WWF-së në Kinë.
Vitet e fundit, Kina e ka pasur prioritet mbrojtjen e tigrave të egër, përmes përpjekjeve të ndryshme, duke përfshirë ngritjen e parqeve kombëtare, ndalimin e gjuetisë dhe ndalimin e plotë të tregtisë dhe përdorimit të eshtrave të tigrave në mjekësi.
Një përpjekje e dukshme është krijimi i Parkut Kombëtar të Tigrit dhe Leopardit të Kinës verilindore, i cili përfshin mbi 1.4 milionë hektarë në të gjithë provincat verilindore të Jilin dhe Heilongjiang.
Sipas statistikave nga parku, afërsisht 70 tigra të egër siberianë, një nga speciet më të rrezikuara në botë dhe një specie kryesore e ekosistemit pyjor, tani jetojnë brenda kufijve të tij, me 20 këlyshë tigri të lindur në park në vitin 2023. (Irma)