Gaza (Foto Atsh)
Kreu i Shërbimit Sekret izraelite, Mossad, David Barnea, udhëtoi për në Romë, për bisedime në lidhje me një armëpushim në konfliktin e Gazës, shkruan “ATSH”.
Zyra e kryeministrit izraelit, pa dhënë detaje, bëri të ditur se Barnea u rikthye në Izrael, por bisedimet për çështjet kryesore janë vendosur të vazhdojnë në ditët në vijim.
“Kreu i Mossad-it u takua në kryeqytetin italian me shefin e CIA-s, William Burns, kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, dhe ministrin e Inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel”, njoftoi më herët një zyrtar izraelit.
Foto nga VCG
Bisedimet për armëpushim, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, kanë ngecur prej disa muajsh. Që nga maji, diskutimet janë përqendruar rreth një plani shumëfazor të propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili synon të arrijë një armëpushim të përhershëm në konfliktin e Gazës. Po ashtu, synohet që pengjet e mbajtura nga Hamasi do të shkëmbehen me të burgosur palestinezë në burgjet izraelite.
Faza e parë e planit të Biden parashikon një armëpushim që zgjat rreth gjashtë javë. Gjatë kësaj periudhe do të liroheshin një grup pengjesh. Në fazën tjetër, luftimet do të pushonin përgjithmonë dhe pengjet e mbetura do të liroheshin.
Në fazën përfundimtare, sipas propozimit, do të fillonte rindërtimi i Rripit të Gazës.
Foto nga VCG
Lufta e Gazës u shkaktua nga masakra e paprecedentë më 7 tetor 2023 në Izrael, ku u vranë më shumë se 1200 njerëz nga militantët e Hamasit dhe grupet e tjera.
Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe një ofensivë të madhe tokësore. Autoritetet shëndetësore të Hamasit raportojnë për rreth 39.000 viktima, kryesisht civilë, që nga shpërthimi i luftës. (Fatosi)