Borrell-Orban (Foto Panorama)
Bashkimi Europian mban qëndrim ndaj lëvizjeve të papëlqyera të kryeministrit hungarez. Shefi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, deklaroi se takimi i radhës i ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së do të zhvillohet më 28-30 gusht në Bruksel, dhe jo në kryeqytetin hungarez, Budapest, vendi që mban presidencën e radhës të BE-së, shkruan “Panorama”.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, zemëroi pothuajse të gjithë partnerët e tij në BE, pasi zhvilloi një vizitë në Moskë, ku diskutoi për një rrugë të mundshme për t’i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë.
“Mund të them se të gjitha shtetet anëtare, me përjashtim të një shteti, janë të brengosura me këtë sjellje. Qëndrimi i qeverisë hungareze duhet të përballet me disa pasoja. Si rezultat i kësaj, ne kemi dërguar një sinjal, qoftë ai simbolik, duke e mbajtur mbledhjen e radhës në Bruksel”,- tha Borrell, pasi kryesoi mbledhjen e ministrave të Jashtëm.
Vetëm Sllovakia ka mbështetur qëndrimin e Hungarisë.
“Ne e mbështesim plotësisht nismën e Hungarisë për paqe”, tha ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matus Sutaj Estok, të hënën. (Irma)