Raporti: Ballkani Perëndimor duhet të investojë gati 37 miliardë dollarë për mbrojtje ndaj klimës
2024-07-18 11:34:45

Harta e ndryshimeve klimatike (Foto  RTSH)

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë 10 viteve për mbrojtje më të mirë nga ndikimet e ndryshimeve klimaterike, thuhet në Raportin rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, shkruan “RTSH”.

Sipas raportit, përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për vendet Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

“Investimet do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike”,- thuhet në raport.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, sipas raportit, është seriozisht i ndikuar nga ndryshimet klimaterike, ndërsa zjarret vlerësohen si një kërcënim tjetër gjithnjë e më i madh.

Ekspertët e Bankës Botërore po punojnë edhe mbi raporte për secilin vend të Ballkanit Perëndimor, që do të ofrojnë njohuri të mëtejshme mbi zhvillimin dhe sfidat e lidhura me klimën specifike për secilën nga ekonomitë e rajonit. (Elona)