Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë për rikthimin e qëndrueshmërisë në Haiti, tha të martën zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me mbështetjen e Kinës për miratimin e një rezolute mbi Haitin nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lin Jian/Foto:MPJ
Megjithëse Haiti nuk ka vendosur ende marrëdhënie diplomatike me Kinën, pala kineze votoi kohët e fundit në favor të rezolutës 2743, e cila zgjat mandatin e Zyrës së Integruar të Kombeve të Bashkuara në Haiti (BINUH) për një vit dhe u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së më 12 korrik.
Lin tha se, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina e ka trajtuar prej kohësh çështjen e Haitit me një qëndrim të përgjegjshëm e konstruktiv, së bashku me komunitetin ndërkombëtar.
Ai vuri në dukje se krahas vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, Kina së fundmi mbështeti miratimin e rezolutës 2743, duke dërguar një sinjal pozitiv se komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë ta mbështesë popullin e Haitit.
Haiti/Foto:VCG
Pas miratimit të rezolutës, Haiti shprehu mirënjohje për Kinën e vlerësim për rolin konstruktiv që ka luajtur Kina, dhe është i gatshëm të ruajë kontaktet e komunikimin me palën kineze, shtoi Lin.
"Kina është e gatshme të vazhdojë të punojë për rikthimin e qëndrueshmërisë në Haiti dhe të përkrahë popullin haitian në gjetjen e një zgjidhjeje nga haitianët dhe për haitianët," tha ai.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke miratuar njëzëri rezolutën 2743, u kërkoi të gjithë palëve përkatëse në Haiti që të krijojnë urgjentisht një komision të përkohshëm zgjedhor dhe të arrijnë një marrëveshje mbi një plan të qëndrueshëm, të kufizuar në kohë dhe të pranuar gjerësisht për zgjedhjet.
Haiti/Foto:VCG
Rezoluta i bën thirrje BINUH-ut të krijojë një strategji se si do të mbështesë një proces politik të drejtuar nga haitianët e në pronësi të haitianëve, duke i kërkuar që ta informojë Këshillin për këtë strategji dhe për zbatimin e saj në raportet e tij tremujore.(Artan)