Çdo sezon veror, Bashkia e Tiranës hap kampe verore për fëmijët e familjeve në nevojë ose nga komuniteti rom dhe egjiptian, të cilët argëtohen në ambientet e dedikurara në Parkun e Liqenit Artificial, në kryeqytetin shqiptar, bën të ditur “ATSH”.
Erion Veliaj (Foto ATSh)
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, iu bashkua aktiviteteve dhe lojërave të grupit të fëmijëve pjesëmarrës, duke theksuar se këto nisma ndihmojnë për të mësuar, por edhe për të krijuar shoqëri të reja.
“Në zemër të Tiranës, te parku më i bukur që kemi, ku temperatura është më e ulët, organizojmë, si çdo vit, kampin veror për fëmijë. Më kanë bërë shumë përshtypje super talentet që pashë këtu. Por, mbi të gjitha, këtu i mësojmë fëmijët të rrinë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë shoqëri të reja”,- tha Veliaj.
Programet dhe aktivitetet në kampin veror janë të ndërthurura dhe të organizuara në mënyrë të atillë për t’i ndihmuar fëmijët të forcojnë aftësitë e tyre shoqërore dhe krijuese.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët në kampet verore.
“I ftoj të gjithë prindërit që ndoshta janë ende në punë, që mbase nuk i kanë mundësitë, që t’i regjistrojnë fëmijët në kampet verore. Ne do të jemi këtu deri në fund të korrikut, edhe me qendrat sociale, edhe me qendrën TEN, edhe me agjencinë tonë të parqeve. Ky është stacioni ynë kryesor, por kemi edhe një stacion tjetër te Shkolla e Biçikletave”,- deklaroi Veliaj.
Kampi veror ka për qëllim t’u ofrojë fëmijëve një larmi me aktivitete argëtuese dhe edukuese, përmes së cilave ata zhvillojnë aftësitë e tyre, të krijojnë punime shumëngjyrëshe dhe lojëra, të mësojnë diçka të re dhe të formojnë shoqëri të reja me moshatarët e tyre. (Irma)