CFP
Ministria kineze e Shkencës dhe Teknologjisë publikoi udhëzime etike për të rregulluar kërkimin e redaktimit të gjenomit njerëzor dhe për të promovuar zhvillimin e tij të shëndetshëm.
Sipas udhëzimeve, hulumtimi duhet të ndjekë parimet e promovimit të mirëqenies njerëzore, respektimit të individëve, ruajtjes së maturisë dhe përgjegjësisë, si dhe të sigurojë garantimin për të qenë të hapur dhe transparent, shkruan “Xinhua”.
Përdorimi në kërkime i teknologjisë së redaktimit të gjenomit njerëzor duhet të vlerësohet me kujdes, duke marrë parasysh plotësisht vlerën e tij shkencore dhe sociale, si dhe rreziqet e mundshme, thuhet në udhëzimet, të formuluara nga Nënkomiteti i Etikës Mjekësore i Komitetit Kombëtar të Etikës së Shkencës dhe Teknologjisë.
Në dokument theksohet se sidomos në kërkimin klinik është e nevojshme të vlerësohet dhe trajtohet plotësisht ashpërsia e sëmundjes dhe rreziqet e mundshme për të vendosur një ekuilibër midis veprimit dhe masës paraprake.
Lidhur me kërkimin e redaktimit të gjenomit njerëzor mbi qelizat germinale, vezët e fekonduara ose embrionet, është rreptësisht e ndaluar të përdoren qelizat germinale të modifikuara, vezët e fekonduara ose embrionet për shtatzëni dhe riprodhim, thuhet në udhëzimet.
Udhëzimet kanë përshkruar gjithashtu kërkesat e përgjithshme për kërkimin e redaktimit të gjenomit njerëzor, të cilat përfshijnë arritjen e objektivave të arsyeshëm, mbrojtjen e pjesëmarrësve në kërkim, zotërimin e kualifikimeve dhe kushteve përkatëse dhe marrjen e pëlqimit të informuar.
Po ashtu, janë specifikuar kërkesa të veçanta për trajtimin e mostrave të mbetura dhe kushtet për përdorimin e strategjive të redaktimit të gjenomit të qelizave somatike në faza të ndryshme të kërkimit, përkatësisht, kërkimi bazë, kërkimi paraklinik dhe kërkimi klinik. (Elona)