Eurostat: Rreth 4.3 milionë ukrainas janë nën mbrojtje të përkohshme në BE
2024-07-11 16:51:10

CFP

CFP

Eurostati bëri të ditur se deri më 31 maj 2024, rreth 4.3 milionë qytetarë jo të BE-së që u larguan nga Ukraina për shkak të luftës kanë status të përkohshëm mbrojtjeje në vendet e unionit, shkruan “RTSH”.

Sipas të dhënave, Gjermania strehon më shumë përfitues, me 1.332.515 njerëz ose 31.3 për qind të totalit të BE-së, e ndjekur nga Polonia me 953.255 persona ose 22.4 për qind dhe Republika Çeke me 356.405 persona ose 8.4 për qind.

Krahasuar me prillin 2024, rritjet më të mëdha ishin në Gjermani, e cila shënoi një shtesë prej 14.250 përfituesish ose rritje me 1.1 për qind, Republika Çeke me një rritje prej 11.000 përfituesish ose 3.2 për qind dhe Rumania me një rritje prej 3715 përfituesish ose 2.4 për qind.

Qytetarët ukrainas përbëjnë mbi 98 për qind të përfituesve, me gratë e rritura që përbëjnë pothuajse gjysmën me 45.6 për qind, fëmijët me pothuajse një të tretën me 32.5 për qind dhe burrat e rritur që përbëjnë pak më shumë se një të pestën në 21.9 për qind.

Këto shifra pasqyrojnë atribuimin e statusit të mbrojtjes së përkohshme bazuar në Vendimin Zbatues të Këshillit 2022/382, i cili u krijua më 4 mars 2022, si përgjigje ndaj fluksit masiv të personave të zhvendosur nga Ukraina. (Elona)