Karrocë marketi (Foto Atsh)
Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit, zbriti në 2.1% në qershor, nga 4.5% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëhet e ditur në një raport të publikuar nga Instituti i Statistikave në Shqipëri.
Sipas INSTAT-it, në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet, shkruan “ATSH”.
Krahasuar me qershorin 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.7%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.3%.
Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 3.4%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 3.3%.
Krahasuar me majin 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1.1%, pasuar nga “Transporti” me 0.4%. (Elona)