Ukraina arrin marrëveshje sigurie me Poloninë
2024-07-10 17:48:08

Lideret ukrainas dhe polake (Foto Rtsh)

Lideret ukrainas dhe polake (Foto Rtsh)

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkroi në Varshavë një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me Poloninë, që synon forcimin e lidhjeve me një nga aleatët më të afërt të vendit, shkruan “RTSH”.

Polonia ka ofruar tashmë 44 paketa ndihme ushtarake për Ukrainën me vlerë 4 miliardë euro dhe është zotuar të sigurojë disa të tjera këtë vit dhe në dekadën e ardhshme.

“Vetëm së bashku Ukraina dhe Polonia mund të jenë të lira dhe të forta. Kjo është mënyra e vetme se si mund të mbrojmë lirinë dhe pavarësinë tonë”,- thanë presidenti ukrainas dhe kryeministri polak, Donald Tusk, në një deklaratë të përbashkët.

Polonia ka premtuar gjithashtu trajnime të mëtejshme për forcat ukrainase dhe të vazhdojë të funksionojë si qendër logjistike e Ukrainas, duke lehtësuar dërgesat e armëve perëndimore përmes territorit të saj.

Ukraina premtoi të reformojë, si dhe të ndajë inteligjencën dhe mësimet që ka mësuar këto vitet e fundit me Poloninë dhe të kontribuojë në modernizimin e ushtrisë polake, thuhet në deklaratën e postuar nga Zyra e Presidentit ukrainas.

Ukraina ka nënshkruar deri më tani 20 marrëveshje të tilla dypalëshe të sigurisë me aleatët e saj. Polonia e çon totalin në 21.

Ato përfshijnë dispozita konkrete për ndihmën dhe trajnimin afatgjatë ushtarak dhe financiar për trupat ukrainase, si dhe dërgesat e armëve, por ato nuk i detyrojnë nënshkruesit të hyjnë në konflikt në emër të Ukrainës.

“Ne do të ndihmojmë, sepse siguria juaj është siguria jonë, por nuk do të bëjmë asgjë që do të dobësojë sigurinë tonë të menjëhershme, pra aftësitë tona. Ne po flasim këtu për avionë luftarakë dhe për armatime, që ndonjëherë janë po aq të nevojshme për Poloninë sa për Ukrainën”,- tha Tusk. (Elona)